Ditë e rëndësishme sot te Vllaznia, teksa u prezantua trajneri Migen Memelli dhe ndihmësi i tij, Ndriçim Shtubina. Përpara mediave në konferencën për shtyp doli edhe drejtori sportiv i shkodranëve, Elvis Plori.
“Migen Memelli dhe Ndriçim Shtubina do të jenë trajneri i parë dhe zëvendëstrajneri i këtij sezoni. Shpresojmë që të na ecë më mbarë të gjithëve. Unë dua të flas sa më pak e punoj sa më shumë. Ky është një objektiv që i kemi vënë vetes të gjithë bashkë, duke filluar nga unë i pari e deri te i fundit. Fjala më e mirë është puna, rezultati është ballafaqimi i punës. Shpresoj që të kem dhe të kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë sa i përket të ardhmes së klubit.
Kemi objektivat tona si gjithmonë, i kemi pasur e i kemi përsëri, se Vllaznia është skuadër që futet gjithmonë për objektiva madhorë. Por gjithmonë duhet të jemi me hap pas hapi të ngadaltë, duhet të diskutojmë me avash këto probleme, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë fort për të arritur gjithçka që klubi dëshiron.
Pse Memelli? Thjesht nuk kam pasur asnjëherë diskutime. Kam zgjedhur një strategji të cilën duhet ta theksojmë, është strategji dhe modeling i ri që kërkojmë të kemi në klub. Do të kemi një trajner të ri, një trajner ambicioz i cili punon fort dhe të marrim më të mirën e të gjithë lojtarëve.
Për detajet e merkatos do të flasim një herë tjetër se do të bëjmë mirë dhe ashtu siç duhet. Sot jam për këto prezantime dhe me datën 12 skuadra do të fillojë përgatitjet. Atëherë do të jem i gatshëm për të folur për merkaton dhe pjesën tjetër” – tha ai.
(BalkanWeb)