Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea ka nisur menjëherë nga puna dhe sot zhvilloi një mbledhje me të gjithë trajnerët dhe stafet e ekipeve kombëtare të të gjitha moshave dhe drejtues të disa sektorëve të Federatës.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares A, Sylvio Mendes Campos Junoir së bashku me ndihmësit e tij Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Júnior dhe pjesëtarët e tjerë të stafit të tij teknik. Fillimisht, Pea bëri një prezantim për karrierën e tij dhe eksperiencën e gjatë me klubet dhe rolet që ka kryer përgjatë dy dekadave të fundit, duke u fokusuar te aspekti teknik.

Më tej, ai u ndal te struktura organizative dhe si do të koordinohet puna me të gjithë sektorët dhe si do të funksionojë bashkëpunimi me drejtorinë.

Drejtoria Teknike i FSHF-së do të jetë e ndarë në pesë sektorë për të specifikuar objektivat, aspektet teknike dhe taktike, aspektet fizike sportive, por mbi të gjitha, për të diferencuar metodat dhe strategjitë për arritjen e objektivave, gjithmonë duke pasur në fokus çdo futbollist, me nevojat dhe kërkesat e tij sportive e njerëzore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Roli i Drejtorit Teknik brenda Federatës së Sporteve parashikon koordinimin dhe mbështetjen e veprimtarisë teknike të të gjitha ekipeve kombëtare. Është një rol i krijuar për të implementuar strategjinë afatgjatë dhe vazhdimësinë e saj.

Drejtori Teknik është përgjegjës për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me zhvillimin e lojtarëve, koordinimin e personelit teknik dhe së bashku me trajnerin e Kombëtares A ndërton objektivat, filozofinë e lojës, metodologjitë, strategjitë, etj.

Gjithashtu, ai ka për detyrë edhe krijimin e programeve stërvitore dhe planifikimin e programeve të punës, vendosjen e udhëzimeve për objektivat kryesore, sipas grup-moshës.

Sakaq, Fulvio Pea do të vijojë punën në terren për të ndjekur punën që bëhet me ekipet kombëtare e moshave dhe duke u takuar me trajnerët e moshave për të kuptuar më mirë punën dhe për të përmirësuar vazhdimisht nivelin e stërvitshmërisë dhe ekipeve kuqezi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: