Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me autoritetet lokale të Italisë së Jugut, mundëson tanimë qasje barazitare në dokumente për komunitetin arbëresh të atjeshëm.

Në 4 vendodhje ku jetojnë studiues bashkëkombas, u çelen Kënde Arkivore në përmbajtje të zotimit të DPA-së për të ofruar mundësi të njëjta hulumtimi, kudo ku jetojnë shqiptarët. Hapësirat më të reja studimore gjenden në Frasnitë, në Universitetin e Kalabrisë, në atë të Palermos si dhe Këndin në Horën e Arbëreshëvet (Arkivi Dioqezan).

Inaugurimi i Këndeve Arkivore dhe prezantimi i platformës online u kryen nga kreu i DPA-së, Ardit Bido dhe drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), Armando Boçe. Në agjendën e ngjeshur triditore, prej datës 22 deri më 24 qershor 2022, Bido është shprehur për mediat se në sajë të lehtësimit të qasjes në dokumentacion, jo vetëm inkurajohen studiesit, por në këtë mënyrë shteti shqiptar paraqitet për herë të parë me një prani institucionale mes arbëreshëve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Prej këtyre Këndeve Arkivore, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, sikur të ishte i pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë, duke evokuar kështu unitetin e kombit. Për të përftuar qasjen falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor.

Mandej, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut të një dite pune. Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në Këndin Arkivor.

Kjo nismë e DPA-së ka trajtë mbarëkombëtare dhe është shtrirë deri më tani në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: