TIRANË- Gjovalin Loka, Drejtori për rendin e sigurinë në polici ka folur për masat e marra për sezonin turistik dhe rendin e sigurinë në vend. I ftuar në studion e Neës24 në rubrikën “Opinion”, Loka tha se numri i vrasjeve ka ardhur duke u ulur nga viti në vit dhe zbulueshmëria e veprave penale është rritur.

Ai nuk dha detaje për ngjarjen në Shkodër ku u ekzekutuan burrë e grua por tha se krimi po hetohet intensivisht.

“Po bëhen hetime intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Situata e rendit dhe sigurisë në vend është në parametra normalë. Kemi numër më të ulët vrasjesh por edhe këtë 6-mujor me 6-mujorin e vitit të kaluar ka ulje të krimeve. Ka rritje të zbulueshmërisë së veprave penale. Kemi shtim të forcës zbuluese e goditëses falë një bashkëpunimi të ngushtë mes institucionesh.
Shifrat i kemi bërë prezent. Vitin që kaloi kemi pasur 52 vrasje. Këtë vit kemi më pak se vitin që kaloi”, tha Loka.

Zyrtari i policisë tregoi detaje nga plani i masave të hartuar për sezonin turistik. Ai tregoi për praninë e agjentëve kriminalë civilë në plazhe, club-e apo disko.
“Kemi një plan masash për detyrat funksionale. Kemi detyra konkrete e specifike. E kemi të skanuar të gjithë situatën kriminale në territor dhe ndaj kemi hartuar këtë plan masash. Është rritur besimi i qytetarëve ndaj policisë dhe puna e policisë duke i dhënë rëndësi çdo telefonate që vjen nga qytetarët. Falë telefonatave janë parandaluar shume krime. Ka rënë ndjeshëm numri i telefonatave të rreme.
Në disa qarqe i kemi kaluar në shërbim të përforcuar 12 orësh që do të thotë më shumë prezencë e policisë. Kemi prezencë të shtuar dhe të agjentëve të policisë kriminale civilë për të parandaluar çdo ngjarje kriminale, qoftë në disko, club-e, plazhe”, deklaroi Loka.

Drejtori për rendin e sigurinë tha se sezoni veror është prioritet i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë. Sipas tij deri tani në lidhje me zhurmat apo ndotjen akustike nuk ka pasur vende problematike. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i rregullave do të ketë masa deri edhe në pezullim të aktivitetit. Loka u shpreh se bizneset janë njoftuar përmes fletëpalosjeve për masat e marra dhe që duhet të marrin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb