Kantautori Dren Abazi ka përjetuar periudhën e errët dhe të vështirë të luftës së Kosovës dhe dëbimin nga serbët në vitet ’98-‘99 si gjithë qytetarët kosovarë. Ishin të shumtë ata që iu drejtuan territorit të Shqipërisë dhe të shumta ishin familjet shqiptare që hapën dyert për ta.

Dreni zbuloi te Ola se ai dhe familjarët e tij kanë qëndruar në qytetin e bukur të Korçës për rreth 2 muaj, në një shtëpi me qira. Ai tha se është shumë i lidhur me këtë qytet dhe se Korça zë një vend shumë të rëndësishëm në zemrën e tij.

Kantautori tregoi se në atë periudhë në Korçë ka krijuar shumë miq, dhe stafi i programit kishte gjetur dy prej miqve të tij më të mirë, të cilët surprizuan Drenin me një videomesazh. “Jam shumë i sigurt që një pjesë e suksesit tënd është edhe Korça, ne të duam shumë dhe presim të organizojmë koncertin e radhës”, thanë ndër të tjera ata.

Mesazhin ata e kishin realizuar në kafen e preferuar të Drenit, i cili me entuziazëm e priti këtë videomesazh dhe tregoi se me ta ka kontakte të vazhdueshme. Dreni tha se Korça ka ndikuar në muzikën e tij dhe zbuloi se daljen e parë publike e ka bërë në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në kuadër të një koncerti që zhvillonte shkolla “Demokracia”.

Dhe teksa ai tregonte, natyrshëm erdhi ideja për të kënduar një serenatë korçare së bashku më vëllezërit korçarë. Ata zgjodhën serenatën “Të të them je lule”, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur në studio.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb