Artistët janë bërë sërish pjesë e debatit të “nxehtë” për shembjen e Teatrit Kombëtar. Mes zërave pro vendimit të qeverisë është edhe ai i regjisorit Pëllumb Kulla, i cili shkruan në “Facebook” se “duhet të kthjellohemi dhe të arrijmë në një shkoqitje përfundimtare të temave, ku teatri është vrima e fundit e kavallit”.

Kulla kritikon ashpër gjithë politikanët, që sipas tij, ndeshen për gjithçka, dje në fushën e zgjedhjeve, pardje në fushën e gjykatave, para ca kohësh në atë të lodrave të fëmijëve te liqeni, ndërsa sot po ndeshen për teatrin.

Më tej, ai shton se politika është nëna e gjithë të këqijave, ndërsa sjell në vëmendje edhe Rrugën e Kombit, e cila sipas tij, kushtoi llahtarisht shumë, por ama ja vlen të udhëtosh në të. Më tej, regjisori thekson se pas çdo nisme të bukur njerëzore nuk mund të shihet dyshimi sa fiton qeveria, bashkia apo komuna, se kështu vendi nuk do të përparojë kurrë.

Reagimi i Kullës:

SOT NDESHJEN DO TA BËJMË NË FUSHËN E TEATRIT
Më treguan se një plak nga Alliasi, në shtratin e vdekjes me fjalët e fundit paska thënë “Po mbyll sytë… i lumtur që atë… binanë e theatrit …e lashë në këmbë.”
Nuk kishte faj i gjori. Duke lënguar i shtrirë, në ditët e tij të mbrame, pat kërkuar që t’ia mbanin televizorin hapur.
Nuk kishte ikur pa deklaruar dhe ai, se cilën anë mbante.

Në Shqipëri, i madh e i vogël, politikanë dhe paparti, mëndje të ndritura dhe njerëz që s’kanë lexuar kurrë një libër, lypësa dhe milionerë, pa përjashtim në të gjithë kanalet televizivë, në të gjitha gazetat, këto ditë po ngrysen e gdhihen përsëri me shoshat e problemit të Teatrit Kombëtar!
Por mendoj se duhet të kthjellohemi dhe të arrijmë në një shkoqitje përfundimtare të temave, ku teatri, o miq, është vrima e fundit e kavallit. Në diskutimet e zjarrta shquhen dyshime për interesa fitimprurëse, interesa të publicitetit, të karrierës politike. Është e natyrshme që aty të shfaqen dhe preokupime kulturore, arqitekturale, apo urbanistike, por drithërimat dhe oshëtimat vijnë nga shpellat e politikës.

Ndeshen politikanët. Mbaron një ndeshje, fillon tjetra. Vetëm fushat ndërrohen. Dje u ndeshëm në fushën zgjedhore, pardje në fushën e gjykatave, para ca kohësh në atë fushën e lodrave të fëmijëve, te liqeni…
Sot ndeshja zhvillohet në atë fushën prapa ministrive, në Teatrin Kombëtar. Thonë do të vijë dhe Presidenti, Kryeministri, deputetë… Të djegur dhe të padjegur!

Politika është nëna e gjithë të këqijave. Plot grupime politike nuk merakosen as për nevojat e Shqipërisë e jo më të artistëve dhe të ndërtesave, ku shfaqet arti i tyre. Në rast se opinionet ndahen më dysh dhe si arbitër marrim organizma teknike të specializuara, ne i hedhim poshtë nëqoftëse ato nuk flasin si duam ne.
Në rast se për ndërtesën në fjalë, edhe shoqata e ndërtuesve mendon se teknikisht, ajo ngrehina e vjetër, nuk i qëndron dot më dhëmbëve të kohës, ne që jemi të asaj ane që është për ruajtjen e ngrehinës, nuk e kemi për gjë të themi që ndërtuesit janë të paguar të thonë ashtu.
Në rast se edhe zjarrfiksat paralajmërojnë rreziqe të dukshme nga zjarri, do të themi se ata janë rrogëtarë të qeverisë. Ata të organeve të shëndetësisë janë të paguar, specialistët e huaj janë të blerë, dhe kështu, të shitur e të blerë janë të gjithë ata që nuk flasin si ne. Çfarë do të humbim? Ne për një anullim marrëveshjeje ndërshtetërore deklaruam se, që të nëntë gjyqtarët e lartë të Gjykatës Kushtetuese ishin të ngallosur me ryshfete dhe nuk na gjeti gjë. Tek ne pushteti blihet, votat që na sjellin në qeverisje ne i blejmë. Tek ne shiten edhe vëzhguesit, kombëtarë edhe të huajt.

Edhe unë që shfaq këto mendime, nuk e vërtetoj dot që nuk jam i blerë.

Si mund të vazhdohet kështu me këtë atmosferë të ndohtur fund e krye?!
Interes politik, apo elektoral të drejtë për drejtë, në këtë rast, ka patjetër edhe kryetari i Bashkisë, ministrja e Kulturës dhe vetë Kryeministri. Në rast se ata ofrojnë zgjidhje, unë besoj se nuk ka nevojë t’ju a zbuloj se çfarë duhet të themi në kor ne, kundërshtarët:
“Ata nuk mund të kenë qëllime të pastra. Ata nuk mund të kenë dëshirën që Tirana të jetë e bukur, nuk u plasi për një ndërtesë dinjitoze, tërheqëse, me kushte teknike optimale. Bo-bo-boooo! Po e arritën ta ngrejnë atë ndërtesë, dhe sidomos po qe e përsosur, ajo do t’i ndihmojë ata të rrinë në pushtet edhe vite të tjerë.”

E tillë është platforma e politikës që kundërshton përpjekjet e çdo zgjidhjeje.

Unë nuk e dij nëse autoritetet qeveritare dhe bashkiake kanë interesa korruptive. Dëshira ime e sinqertë është që të mos kenë. Dhe besoj palëkundshmërisht në ta, si njerëz qëllimmirë dhe idealistë. Unë edhe Rrugën e Kombit që kushtoi aq llahtarisht shumë, kam dëshirë ta shpjegoj se paguam shumë si rezultat i gabimeve dhe paaftësisë për të zgjedhur një firme ndërtuese më të mirë. Ama, më mjafton lumturia që ato dy-tri herë që kam udhëtuar mbi atë autostradë, nga Tirana, pas tre orësh jam gjendur në Prishtinë! Është abuzuar dhe njerëz të liq kanë përfituar nga financimi i saj? Sa keq! Po përse vononi të na e vërtetoni?

Po, dreqi e mori, nuk mund të shihet prapa çdo nisme të bukur njerëzore, dyshimi se sa fiton qeveria, bashkia apo komuna, se kështu vendi nuk do të përparojë kurrë!

Të mos kemi më shpresë?!

Pra nuk do të ketë më asnjëherë në këtë vend kryeministra qëllimmirë, kryebashkiakë të ndershëm, deputetë të devotshëm ndaj atdheut dhe ministra të papërlyer?!

Mjerë ne, atëherë!

Kuklla
Kuklla

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb