Ka përfunduar pak çaste më parë një nga ndeshjet më të ndjera në superligën kosovare të futboollit, siç është edhe derbi i madh i Gjilanit, apo i quajtur ndryshe derbi i Anamoravës. Skuadra pritëse, Drita e Gjilanit kaloi e para në vantazh. Për bardheblutë shënoi Ardian Limaj, gol që mbeti në fuqi deri në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë do të barazojë Gjilani, duke çuar peshë sektorin e stadiumit të mbushur nga “Skifterat”. Fiton Hajdari do të realizojë në të 69-ën, pas një goditjeje të bukur me kokë, që e shtangu portierin Kirev.

Por Drita nuk do të dorëzohet dhe për 180 sekonda e çon festën nën tribunën tjetër, atë të “Intelektualëve”, që do t’i gëzohen golit të Kirian Nuabuezes në të 71-ën. Në fund të sfidës ka sërish emocione, Erjon Vucaj do të sigurojë përfundimisht fitoren për bardheblutë me golin e tij të minutës së 95-të, ndërsa pak sekonda më vonë, Ansi Nika do të ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit. Do të mbyllet në këtë mënyrë, me festën e lojtarëve të Dritës me tifozërinë e tyre derbi i Anamoravës, me bardheblutë që ngjiten në kuotën e 26 pikëve, një më pak sesa rivalët e Gjilanit. Por gjithsesi, të dyja skuadrat mbeten shumë larg kryesuesve të Prishtinës, që gjenden në kuotën e 40 pikëve.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: