Kur më ra në dorë teksti i librit: “Kritika e etikës globale”, i dr. Dritan Abazoviq, të them të drejtën nuk e dija se çfarë po ma ngacmonte më shumë kureshtjen, duke më shtyrë të lija çdo punë tjetër për t’u zhytur në faqet e tij.

Cila ishte shtysa? Titulli i librit? Fakti që kisha mësuar, se fillimisht ai kishte qenë teza e doktoraturës e një djaloshi shqiptar, që në vitin 2018 kishte fituar gradën shkencore në Universitetin e Sarajevës? Kuptimi i ri për politikën që kishte shpalosur autori në intervistat e tij në media, apo në aksionin e tij politik në Mal të Zi? Apo vetë emri i Dritanit, i cili brenda një kohe të shkurtër, arriti atë që nuk e kishte arritur asnjë shqiptar as në Ballkan dhe në Shqipëri: brenda pak vitesh, ai u bë nga kryetar i një lëvizjeje qytetare politike, ARU, deputet në parlamentin malazez, zëvendëskryeministër dhe pastaj kryeministër. Më tërhoqën ndofta të gjitha këto rrethana bashkë. Ka shumë mundësi, që fillimisht ndikoi edhe fakti që propozimin për ta lexuar ma bëri për herë të parë, me të folurin e tij intrigues dhe të mençur, miku im, Mentor Nazarko. “Shihe, shihe pak!” – më tha, sikur t’i drejtohej ndonjë eksperti, sa duke më përkëdhelur sedrën, aq edhe duke dhënë sinjalin për diçka të pazakontë. Apo kishte ndonjë arsye tjetër krejt personale, që do ta rrëfej më poshtë, nëse keni pak durim?

Gjithsesi, për dikë si unë, me një karrierë të gjatë si profesor universiteti dhe kërkues shkencor, kur ndodh që një politikan, aq më shumë i dorës së parë dhe i nivelit të lartë në shtetin e tij, për më tepër me një moshë shumë të re si politikan, 37-vjeçar, paraqitet edhe si mendimtar, si autor librash në fushën e shkencave sociale, ky fakt has fillimisht një reagim kundërshtues. Nuk e di saktë nga vjen.  Qysh nga kohët e antikitetit grek, Platoni e mendonte “filozofin”, pra të diturin që kërkon të vërtetën për shoqërinë ku jeton, si dikë të paanshëm, të pandikuar nga interesa, cilado qofshin këto, pra edhe politike. Për Platonin, politikanët e çdo krahu, të zhytur në fushëbetejën politike, nuk mund ta arrijnë atë gjakftohtësi intelektuale, atë baraspeshim në qëndrime dhe gjykime, atë besnikëri ndaj së vërtetës së paanshme, sikundër mund ta bëjnë këtë mendimtarët. Nuk ka gjë më qesharake, më gazmore po deshët, më të përçudnuar, sesa kur politikanë të ndryshëm nisin të filozofojnë. Është një lloj autokratizmi banal, ku sundimtari i pushtetit dëshiron të bëhet, të hiqet, të imponohet edhe si sundimtari i së vërtetës. Edhe sikur të dojë, “mbreti” dy gjëra nuk i bën dot, është i privuar prej tyre. E para, nuk bën dot miq. E dyta, nuk ka kontakt me të vërtetën.

Atëherë, përse e përpiva gjithë interes librin e dr. Dritan Abazoviq? Sepse është një rast shumë i rrallë, thuajse i papërsëritshëm. Në fillim, autori përfundon studimet doktorale me sukses dhe pastaj ndërmerr udhëtimin e tij për në majat e pushtetit. Nuk ka qenë në fillim politikan, pastaj nisi të bëjë mendimtarin, por fillimisht përgatitet si mendimtar dhe më pas hidhet në politikë. Ndërkohë, shtohet edhe një rrethanë e dytë. E parathëna e Platonit sigurisht është e palëkundshme, por, si çdo rregull i madh, ka përjashtimet e veta. Jeta politike dëshmon gjithnjë e më tepër, që ka drejtues qeverish, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me shkencat dhe dijen filozofike, por, ndërkaq, ka edhe tek-tuk, shumë rrallë, në botë, edhe kryeministra a pushtetarë, që kanë vokacionin e të qenit të ndritur, pra të ndriçuar nga dëshira për ta ushtruar pushtetin, duke u bazuar në një njohje jo thjesht intuitive, apo vetëm empirike të shoqërisë ku jetojnë, por duke e kuptuar atë shkencërisht.

Përpara sesa të vij te arsyeja personale, që më bëri ta veçoj këtë libër, desha të them se, sipas meje, aq sa njoh unë, në Shqipëri, ne nuk kemi ende një libër të këtij niveli lidhur me globalizmin, aq më pak që të ketë trajtuar etikën, pra moralin e njeriut në epokën globale, të ndajë të mirën dhe të keqen në vlerat morale të shoqërisë globale. Është një libër, që në llojin e tij, në Shqipëri, nuk e ka bërë asnjë akademik, asnjë profesor universiteti, asnjë studiues. Kurse në nivelin doktoral, unë as nuk mendoj se shkollat tona doktorale në filozofi në politike të kenë aktualisht mundësinë e nxjerrjes të një produkti shkencor për etikën e globalizimit, sikurse e ka arritur këtë cilësisht Dritan Abazoviq në Universitetin e Sarajevës.

Nga kjo pikëpamje, libri “Kritika e etikës globale” është shumë i arrirë, shumë i dobishëm dhe përmbush më së miri një boshllëk në bibliotekën e librave shkencore në gjuhën shqipe, në bibliotekat e Shqipërisë. Ai u vjen në ndihmë politikanëve shqiptarë që të njohin në mënyrë të strukturuar, se cilët janë përrenjtë më të thellë etikë që formojnë “oqeanin” shoqëror global të sotëm, u vjen në ndihmë intelektualëve të rinj, është një referencë që i bën nder bibliografisë të çdo studimi doktoral, apo libri që do të botohet në këtë fushë nga sot e tutje.

Në planin thjesht tekstual, do të dëshiroja t’i jepja përgjigje pyetjes se: çfarë më gëzoi thelbësisht te ky libër? Paraprakisht desha të vendos në dukje, se unë i takoj një kulture krejt tjetër të kërkimit shkencor, nga ajo që zbaton ky libër. Ashtu jam formuar. I kam besuar më shumë në tre dekadat e fundit metodologjisë induktivo-empirike të kërkimit shkencor, frymëzuar veçanërisht nga rregullat e arsyetimit induktiv të Bekonit, nga neopozitivizmi anglez, nga metodologjia e shkollës të “Rrethit të Vjenës”, si dhe nga metodologjia e kërkimit shkencor e qendrave kërkimore dhe shkencore në Francë. Frymëzimi i kësaj metodologjie, është kërkimi i mjeteve për të administruar shkencërisht faktet empirike, baza të dhënash sasiore, etj., duke nxjerrë prej tyre përfundime të testueshme, me vlefshmëri të kufizuar në kohë dhe në hapësirë. Shkolla doktorale e Universitetit të Sarajevës, në shkencat politike dhe në filozofi në politike, duket qartë se ndjek një metodë tjetër, çka shprehet edhe në format ligjërimore të shpërfaqura nga dr. Dritan Abazoviq në këtë libër.

Ai ndjek denjësisht metodën deduktivo-logjike. Kjo e fundit është po aq e përhapur, sa edhe metoda induktivo-empirike në universitetet lindore, ballkanike, me influenca sllave, por edhe në universitete me emër evropiano-perëndimore dhe më gjerë. Metoda deduktive e librit, pa u shkëputur sigurisht për asnjë çast nga realiteti, më shumë i jep rëndësi mënyrës së të arsyetuarit racional, kalimit logjik të koncepteve nga njëri te tjetri, duke i mbetur besnike idesë hegeliane, se ajo që është racionale, pra që ka kuptim logjik, është po ashtu edhe reale, pra i afrohet saktë realitetit sipas mënyrës së vet dhe e shpjegon atë. Nuk është vetëm mjeshtëria e ish doktorantit Dritan Abazoviq, që shfaqet në arsyetimet e këtij libri, por edhe atyre profesorëve të ditur në Universitetin e Sarajevës, ku jam i sigurt që ndërthuren, si në asnjë vend tjetër në Ballkan, ndikimet më të mira të ardhura nga bota e Lindjes dhe ajo e Perëndimit, tradita e dijes së përpunuar në Perandorinë e dikurshme Austro-hungareze dhe në Perandorinë Osmane, ku kryqëzohen logjika e kulturës dhe e dijes islamo-lindore dhe ajo ortodokse-bizantine, ku vijnë natyrshëm rrjedha të urtësisë sllave dhe ndikime nga tradita e diturive sufiste-arabe.

Konceptet në libër prodhojnë njëri-tjetrin me një logjikë të hekurt, por edhe me një gjenealogji të saktë. Kemi aplikimin e një metode sa të lashtë, aq edhe të suksesshme logjike, që Sokrati i madh i Lashtësisë antike greke i vuri emrin majeutikë, si quhej në gjuhën e tij profesioni i mamisë, që ndihmon nënën të lindë, të nxjerrë nga trupi i saj, të krijojë nga vetja fëmijën si riprodhim i vetes, por edhe si një transformim që shkon nga “vetja” te “tjetri”.

Nga koncepti i globalizimit, dr. Dritan Abazoviq hidhet te format logjike që ky koncept merr kur shfaqet në të gjitha fushat e ndryshme të shoqërisë së sotme. Ai na dëften konceptualisht, se si shfaqet globalizmi në ekonomi, politikë, media, kulturë dhe në format e tjera të jetës shoqërore. Prej këndej, ai kujdeset me përparësi të plotësojë kontratën me lexuesit, të cilëve u ka premtuar se do të shqyrtojë aspektet etike të globalizimit. Cilat janë vlerat etike në shoqërinë e sotme globale ku ne jetojmë? Cila është e “mirë” dhe çfarë është “e keqja” morale? Cila është përgjegjësia etike? Solidariteti? Egoizmi? E drejta? etj. Dhe, më së fundi, autori shkon drejt trajtimit të atyre mjeteve dhe strategjive, që e përmirësojnë sadopak shoqërinë e sotme globale.

Nganjëherë, ndokush kujton se e di intituivisht, apo nga ndjekja e ligjërimeve stereotipe në media, se çfarë është shoqëria globale. Duke lexuar librin që kemi në duar, kuptohet qartë se shumë nga përfytyrimet që kanë njerëzit duhen parë me sy kritik. Dritan Abazoviq ka meritën, sepse tregon bukur qartë, se, në epokën tonë edhe kur një komb, apo një grup social zhytet në izolim, edhe atëherë nuk kemi një fakt që kundërshton globalizimin. Edhe kur fanatizmi i kundërvihet ndërgjegjes kozmopolite në forma të ndryshme, edhe në këtë rast kemi një shprehje të pasojave të globalizimit. Krijimi i atij që Marshall MC Luhan e parandiente qysh në vitin 1968, si “fshat global”, e që sot quhet më tepër “qytet global”, përfshin të gjitha ato rrjedha që e bëjnë botën tonë të sotme, nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim, një realitet që funksion si një i tërë.

Por, globalizimi nuk shihet me të drejtë nga Dritan Abazoviq si një shoqëri homogjene, as si mbisundim i një modeli të vetëm vleror etik, ekonomik dhe politik në të gjithë botën, nuk konsiderohet as si një realitet uniform, por përkundrazi, si një realitet shoqëror që zotëron një spektër shumë të gjerë ngjyresash. E tëra dhe e njëtrajtshmja nuk janë të barasvlershme. Hapja e kufijve për qarkullimin tregtar, kalimi në shoqërinë urbane post-industriale, përmbytja e tregut botëror nga mallrat e prejardhura nga qendrat e prodhimit botëror global, prepotenca e shumëkombësheve, prioriteti i teknologjive të reja mbi ato klasike a tradicionale, etj., ka bërë që vlera të tilla si sovraniteti izolacionist, roli vendimtar i politikave shtetërore mbi politikat ekonomike, nocionet e solidaritetit grupal, etj., të pësojnë një zbehje të konsiderueshme dhe të hapin detyrimisht pista të reja kërkimit për praktika të tjera politike apo qytetare. Në këto kushte, janë krijuar edhe problematikat e reja si sfida globale, sikurse janë ato që lidhen me ruajtjen e planetit, mbrojtjen e hapësirave të gjelbëruara, të pastërtisë së ajrit, me mbrojtjen e shtresës së ozonit, etj. Këto janë të gjitha problematika globale, që nuk mund të zgjidhen kurrsesi në një rrafsh izolimi kombëtar.

Bota është bërë globale, ndërkohë që, sikurse vë në dukje Dritan Abazoviq, qeverisja globale nëpërmjet OKB-së apo organizmave të tjerë botërorë, është e brishtë dhe jo efikase. Globalizimi, si realitet social, ka tejkaluar dukshëm format e qeverisjes kombëtare dhe lokale.

Ky libër nuk e sheh globalizimin as vetëm si një dukuri vetëm pozitive, as vetëm si negative. Për Dritan Abazoviq, globalizimi i ka sjellë njerëzimit të sotëm rezultate të pamendueshme një gjysmë shekulli më parë. Përmbi të gjitha, ai ka rritur ndërgjegjen e të gjithë banorëve të globit për fatet tona të përbashkëta, ka shpërndarë anekënd globit arritjet teknologjike dhe vlerat më të mira të njerëzimit të sotëm. Por, globalizimi ka sjellë gjithashtu papunësi, rritje të trafikimit të lëndëve narkotike, korrupsion, përmbytje të tregjeve kombëtare nga mallra të huaja, dëmtim të solidaritetit kombëtar, dalje nga kontrolli qytetar i pushtetarëve, etj. Dritan Abazoviq mendon se nuk ka vend as për ta hyjnizuar globalizimin dhe për t’u hedhur symbylluri në humnerat e tij, as për antiglobalizëm fanatikësh, që do të ishte një lloj vetëvrasjeje kombëtare, etnike, ekonomike apo kulturore, si izolim nga bota. Autori e ka zgjedhur rrugën e vet te një alterglobalizëm, pra te një reformim gradual, voluntarist, hap pas hapi, me anë të një inxhinierie sociale, të proceseve globalizuese, duke bërë që ato të sjellin sa më shumë anë pozitive për shoqërinë. Globalizimi na detyron të gjejmë rrugë dhe mjete të tjera, për t’u sjellë aktivisht në shoqëri.

Ndërsa autori si mendimtar ia lejon vetes ta shohë një realitet të caktuar, edhe si “të mirë”, edhe si “të keq”, politikani, sidomos në kohë fushatash elektorale, në kohë tensionesh politike, debatesh me kundërshtarët e vet, nuk e zotëron shumë luksin e të qenit “edhe kështu”, “edhe ashtu”. Dijetari mund ta shohë botën me të gjitha nuancat e ngjyrave që ajo ka, kurse politikani shpesh, sidomos në kohë tensionesh politike, sheh “bardh e zi”. Politikani sheh ose “bardhë”, ose “zi”. Tradicionalisht, është thënë që hezitimi në politikë, pajtimi i të kundërtave, pranimi i anëve negative të politikës që ai ndjek, e dobëson politikanin. Prej këndej, mendohet se politika më e suksesshme është politika e ngurtë, radikale, e njëanshme, pa i hedhur asnjë sy kritik veprimtarisë së vet politike. Imagjinoni një politikan në një fushatë elektorale, ku ai u tregon zgjedhësve të vet anët negative, që mund t’i shoqërojnë politikat që ai zbaton!!! Politikani i ngurtë nuk e bën kurrë këtë, aq më pak politikani tradicional i formatit ballkanik. Dritan Abazoviq e bën. E bën edhe si politikan, edhe si intelektual.

Cili kryeministër shqiptar e pranon sot publikisht, se përfaqësimi demokratik në epokën e globalizimit ka prurjet e veta pozitive, por shfaq edhe hijet që e mbulojnë ndriçimin e tij, sikurse bën në librin e tij kryeministri Dritan Abazoviq? Modeli i përfaqësimit elektoral sot, është një model i shtrirë politikisht në mbarë globin. Por, nga ana tjetër, edhe atje ku demokracia ka rrënjë historike, për të mos folur për modelet demokratike rishtare, përfaqësimi elektoral po manifeston dobësitë e veta. Largim i qytetarëve nga interesimi për të marrë pjesë në zgjedhje, shkëputje e deputetëve që duhet të përfaqësojnë elektoratin nga vullneti i tij, kthim i partive politike në klane të ngushta solidaritetesh meskine, shndërrim i informacionit masiv në propagandë elektorale dhe politike, zbehje e ndarjes të pushteteve, si baza e demokracisë dhe përqendrimi tyre në pak duar, korrupsion qeveritar i theksuar, etj.. Këto dukuri, që e frustrojnë qytetarin, nuk janë rastësi, por bashkëshoqëruese të krizës së thellë të sistemeve të përfaqësimit demokratik në epokën e globalizimit. Modelet demokratike të qeverisjes kanë mbetur mbrapa realiteteve shoqërore globale.

Është sa e çuditshme aq edhe e këndshme, që në librin e tij, Dritan Abazoviq citon autorë, që në këtë apo atë masë kanë folur për aspekte të globalizimit, sado që jo të gjithë drejtpërdrejt. Doktorantin e ri në këtë pikë e ka marrë pak hosh energjia optimiste djaloshare, që jo gjithmonë përputhet me maturinë e përkryer shkencore. Citon autorë shumë saktë, në vendin që duhet, me logjikë shkencore, po që ndonjëherë ndërfusin në konceptin e globalizimit, gjithçka të rëndësishme në shoqërinë e sotme. Duket sikur gjithçka futet në gjithçka. Kjo në një farë mënyre është gjurmë e faktit, që libri ka qenë më parë një punim doktorature. Është fati i të gjithë librave që vijnë nga një origjinë universitare. Unë e di këtë edhe nga përvoja ime botuese. Por, nuk është aspak diçka që e dëmton librin. Përkundrazi, e bën atë edhe më shumë enciklopedik. Aq më shumë që një doktorant, veç rezultateve të punës shkencore që i duhet të tregojë në kërkimin e tij shkencor, patjetër ka nevojë të dëshmojë edhe se e njeh shkencën ku do të gradohet, pra i zotëron dijet e autorëve që e kanë strukturuar atë sektor disiplinor, ku ai mëton gradën shkencore “doktor”.

Dritan Abazoviq ka një meritë të veçantë në këtë libër, sepse ai trajton me të njëjtën peshore, është korrekt në citim, respekton dinjitetin e të gjithë autorëve, pra edhe të atyre që nuk i besojnë globalizimit, edhe atyre që i besojnë verbërisht atij; edhe atyre që janë kritikë ndaj shoqërisë së sotme, sepse kjo e fundit nuk prodhon sa duhet solidaritet dhe mbrojtje sociale, edhe atyre që besojnë, se kjo shoqëri ende e pengon tregun e lirë me politika mbrojtëse sociale. Në libër lexuesi do të ndeshet me Hayek, por edhe me Rawls; me Friedman, por edhe me Stiglitz; me Huntington, por edhe me Fukujama, etj. Gjatë leximit, duket sikur ke hipur në një varkë që noton në një oqean gjigant, ku dallgët e pikëpamjeve të kundërta që përplasen me njëra-tjetrën e lëkundin varkën, megjithatë kapiteni di ta mbajë drejtpeshimin. Në një farë mënyre, sikurse e tregon edhe lista e gjatë bibliografi ke e librit, lexuesi ka fatin të zhytet në një hapësirë idesh, që strukturojnë debatin intelektual të epokës globale.

Është për t’u theksuar, se në librin që kemi në dorë autori shkruan duke qëndruar kryesisht brenda fushës konceptuale. Kjo e fundit shtrihet kryesisht në sektorin e shkencave politike, të filozofi së politike dhe të një sociologjie teorike me karakter të përgjithshëm. Ai u qëndron deri në fund besnik këndvështrimit dhe objektivit të tij, për të na dhënë pamjet teorike të globalizimit, duke e parë këtë të fundit në përmasën e vet universale.

Asnjë fjalë nuk ka në libër për të analizuar konkretisht rrethanat dhe pasojat e globalizimit në Ballkan, në botën shqiptare, apo edhe në Mal të Zi. Kjo i ka dhënë librit mundësinë t’i shmanget çdo politizimi, e kanë ndihmuar autorin të mos ndërmarrë analiza të shpejta dhe fluturake për realitetet empirike të vendeve të Ballkanit, apo të vendit të tij në veçanti, si edhe të respektojë deri në fund metodologjinë e përdorur në një punim dinjitoz, që synon një kontribut në fushë pastërtisht konceptuale.

Sado shumë e respektueshme si zgjedhje, kjo pastërti e intelektualizmit nga politika konkrete e lë lexuesin disi të panginjur përballë pyetjes: Trajtimet në librin e Dritan Abazoviqit, çfarë duan të thonë konkretisht, lidhur me atë që ndodh në Mal të Zi dhe në Ballkan në përgjithësi? Si mund të ndërtohen politika të suksesshme, duke u nisur nga trajtimet dhe qëndrimet teorike mbi globalizimin që përpunohen në këtë libër? Duke e ditur, se Dritan Abazoviq ka pasur dhe ka ambicie të natyrshme njerëzore për të lënë gjurmë politike në vendin e tij, pyetja bëhet edhe më e drejtpërdrejtë: Në çfarë praktikash dhe qëllimesh politike e shtyjnë autorin konceptet që ai përpunon në këtë libër lidhur me globalizimin? Nuk ka diskutim, që për një autor tjetër, pa synime personale në politikë, kjo pyetje nuk do të kishte përse të shtrohej. Por, për autorin e këtij libri, ajo është e paevitueshme. Nisur këndej, mund të thuhet se ky libër na jep mundësinë të njohim nga afër konceptet që drejtojnë dhe frymëzojnë njërin nga aktorët më interesantë të politikës së sotme në Ballkan, dhe specifikisht në Mal të Zi. Ata që interesohen për politikën e Ballkanit, lokalisht, në Bruksel, Strasburg, apo në Uashington, Tiranë, Beograd, Shkup a gjetiu, kanë në këtë libër një radiografi konceptuale të ndërgjegjes intelektuale të politikanit Abazoviq, që synon të luajë rol aktiv të dorës së parë në politikat ballkanike dhe ato të vendit të tij. Gjithë problemi është të vendoset një lidhje korresponduese dhe interpretative, heuristike, midis trajtesave teorike në këtë libër dhe deklaratave, sjelljes politike, taktikave elektorale, ideve dhe qëndrimeve të Abazoviqit në intervistat që ka dhënë në media mbi strategjinë dhe sjelljen e tij politike. Në këtë mënyrë, krijohet një përfytyrim më i saktë i kuptimit politik të përsiatjeve teorike të këtij libri. Në një farë mënyre, kësisoj, për të marrë kuptimin e tekstit kërkohet të dilet përtej tekstit.

Sikurse përmenda në fillim të kësaj parathënieje, një përvojë personale më bëri që libri që kemi në dorë të më interesojë veçanërisht. Përpara disa vitesh, kam qenë i angazhuar në një projekt studimor mbi ndërkulturalizmin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut. Ishte një studim që kryhej nga Katedra e UNESCO-s e Universitetit “Paul Valery” e Strasburgut. Në këtë kuadër u ndodha në Mal të Zi, ku kontaktova drejtues të niveleve të ndryshme të partive politike, veprimtarë politikë, kreva një anketim të pjesshëm të opinionit publik lokal, intervistova personazhe të jetës publike, ndërmora veprimtari vëzhguese në terren, sidomos në zonën e Ulqinit dhe Tuzlës, ndoqa nga afër përmbajtjen e medieve, etj.

Asokohe, sikurse edhe tani, kisha përqafuar shumë nga konceptet e filozofi t të politikës dhe të ndërkulturalizimit, filozofi t të njohur amerikan Majkëll Uoltzër (Michael Walzer). Është pikërisht ky autor, që citohet nga Dritan Abazoviq në librin që kemi në duar “Kritika e etikës globale”. Majkëll Uoltzër, mes të tjerash, trajton edhe çështjen e veprimtarisë politike në shoqëritë multietnike. Ai ka përpunuar konceptualisht trajtesa, që vështirë se mund të mos pranohen. Vërtetësia e tyre konfirmohet edhe nga përvojat tona ballkanike, sidomos në vendet me shoqëri multietnike. Një nga konceptet më interesante të Majkëll Uoltzër është edhe ai i “grupeve etnike totalizuese”. Çfarë kupton Uoltzër me këtë koncept?

Sipas tij, në shoqëritë multietnike, çdo komb ose grup etnik i veçantë, ka prirjen e natyrshme të afirmojë politikisht identitetin e vet kulturor, të pohojë traditat e veta kulturore, gjuhën e vet, të ketë sa më shumë akses në vendimmarrjen politike lokale, apo qendrore, madje edhe të shprehë vullnetin e vet politik nëpërmjet partive politike, apo grupimeve politike, që drejtohen nga një lidership me të një njëjtën përkatësi etnike sikurse elektorati i tyre, ose që kanë programe politike kryesisht vetëm kombëtare apo etnike. Në raste të caktuara, shkruan Majkëll Uoltzër, kjo sjellje politike krijon ato që quhen “grupe etnike totalizuese”. Këto të fundit përmbyllen brenda botes së tyre etnike. Fëmijët e tyre, anëtarët e minoritetit etnik, i çojnë veç në shkolla ku mësohet vetëm gjuha e tyre kombëtare. Ata ndjekin me përparësi vetëm media në gjuhën e tyre kombëtare. Martohen kryesisht me partnerë, që i përkasin vetëm etnisë apo kombit të tyre. Marrëdhëniet e tyre ekonomike kryhen kryesisht vetëm brenda hapësirës, ku shtrihet etnia apo grupi i tyre kombëtar. Kush kërkon të dalë përtej kufijve të grupit etnik, në një marrëdhënie të hapur me botën e gjerë globale, etiketohet si “tradhtar”.

Madje, edhe politikisht anëtarët e grupeve etnike totalizuese shprehen vetëm nëpërmjet partive politike, që programet e tyre i artikulojnë veç në gjuhën amtare të pjesëtarëve të “grupit politik totalizues”, drejtohen nga bashkëkombës të tyre, në programet politike janë të kufizuara vetëm në objektiva, që lidhen me respektimin e të drejtave etnike dhe kombëtare të elektoratit që i drejtohen. Gjithçka përmblidhet kështu brenda “grupit etnik totalizues”: kultura, gjuha, arsimimi, politika, ekonomia. Por, nëse këto grupe janë pakica kombëtare ose etnike, atëherë kjo “sjelljeje patriotike” në politikë, në dukje aq e natyrshme, aq legjitime, aq e konsideruar si vazhdimësi e përpjekjeve shekullore për të mbrojtur dhe shprehur identitetin kombëtar, mund të sjellë edhe pasoja që nuk janë aspak në përputhje me pritshmërinë e sinqertë të bartësve të saj. Grupet kombëtare dhe etnike totalizuese, si këta që përshkruan Majkëll Uoltzër, politikisht mbeten kurdoherë pakicë. Edhe nëse fitojnë disa vende në parlamentet përkatëse, ata asnjëherë nuk u mundësojnë pakicave etnike të ndikojnë në vendimmarrjen legjislative. Më e shumta që mund të arrijnë partitë politike me baza etnike të pakicave, është të bëhen “bishti” i ndonjë partie politike etnike me elektorat më të gjerë. Duke u mbyllur brenda kufijve të ngushtë të asaj që quhet “ekonomi etnike”, doemos operatorët ekonomikë me identitet etnik totalizues, nuk do të kenë mundësi të veprojnë veçse brenda kufijve të biznesit vogël lokal, brenda një ekonomie ngushtësisht familjare, kryesisht në tregtinë e vogël me pakicë dhe në shërbimet e jetës së përditshme, apo në bujqësi.

Të gjithë këta sektorë kanë një fuqi akumulimi relativisht të kufizuar, aq më shumë që klientela e tyre përbëhet gjithashtu nga individët e të njëjtit grup totalizues. Edukimi i fëmijëve vetëm në shkollat etnike, në afatgjatë i bën që këta të mos kenë mundësi të shpalosin më pas energjitë dhe kompetencat e veta në tregun kombëtar, regjional ose global. Ata janë të mbyllur dhe të izoluar gjuhësisht vetëm brenda traditës dhe pasurisë së tyre gjuhësore etnike. E shumta, kanë mundësi vetëm të trashëgojnë pronën dhe profesionin e biznesit të vogël familjar të prindit të tyre. Të ndodhur nën presionin e konkurrencës të ekonomisë globale, operatorët ekonomikë etnikë mbyllen edhe më tepër në vetvete, ndjejnë gjithnjë e më tepër vështirësitë ekonomike, kanë prirjen të varfërohen dhe, mbi të gjitha, ka rrezik të përmbyllen brenda një fanatizmi fetar, kulturor dhe të bien viktima të ideologjive regresive, nacionaliste dhe të kundërshtojnë fatkeqësisht progresin e shkencës dhe teknikës globale. Rreziku është, pra, që “grupet etnike dhe kombëtare totalizuese” të përmbyllen, të vetë-izolohen brenda “getos” së tyre, duke krijuar një realitet të ngushtë social, ekonomik, politik, të veçuar, të ndarë me mure të trashë e të lartë, nga prirjet dhe dinamikat që kanë përfshirë globalisht botën, sikundër e paraqet ky libër i Dritan Abazoviqit. Grupi etnik dhe kombëtar totalizues ndjek taktika dhe strategji politike mbrojtëse, humb gjithnjë e më shumë pozicione në krahasim me të kaluarën, jeton në “bunker”, fsheh kokën si struci përballë rreziqeve, që i kanosen nga shoqëria e hapur. Përkundrejt kësaj, lulëzon ajo që Uoltzër e quan “etnokracia” në aleancë me “etno mediokracinë”.

Lidershipi politik etnik fiton disa vende në parlament, zotëron privilegje dhe avantazhe ekonomike të prejardhura nga fakti, se një pjesë e tij ka mundësi të zërë disa vende pune në administratë, kontrollon një pjesë të pushtetit lokal, por nuk ka mundësi të bëjë më shumë se kaq. Në politikën qendrore, nuk ka mundësi të ketë ndikime. Këtë pozitë të privilegjuar, por aspak efi kase për komunitetin etnik dhe kombëtar, të cilit i përket, e siguron edhe me anë të shtypit të shkruar dhe medieve audiovizive në gjuhë kombëtare, me anë të të cilave artikulon politikën, ideologjinë, strategjinë e vet politike, shpeshherë të ushqyer nga një propagandë me nota false nacionaliste. Sa më shumë elektorati etnik të përmbyllet, në mënyrë izoluese brenda një propagande ideologjike dhe kulturore fanatike, ekstremiste, antiglobaliste, izolacioniste, aq më shumë do të forcohet etnokracia dhe mediokracia, aq më pak zhvillohen mundësitë, që minoriteti etnik apo kombëtar të hapë horizonte të tjera dhe perspektiva sociale dhe politike të reja përpara vetes. Libri i Dritan Abazoviq, sigurisht nuk ka si objekt këto analiza. Por, ai na tregon qartësisht në rrafshin teorik, se në epokën globale, fatet e pakicave nacionale dhe etnike nuk mund të luhen dhe të zgjidhen brenda kufijve të ngushtë të territorit, të fshatit, të lagjes, të malit, të qytetit, ku shtrihet vendbanimi i çdo pakice nacionale.

Arritjet politike të suksesshme, nuk mund të realizohen brenda partive politike etnikisht të pastra. Politika në epokën globale është produkt i elektoratit masiv, që shtrihet në të gjithë territorin e shtetit. Shumicat që kontrollojnë logjikën e shpërndarjes të pushtetit, nuk krijohen dot brenda pakicave nacionale dhe etnike të izoluara. Punësimi brenda territorit ku banon një pakicë etnike, është shumë i kufizuar. Kultura gjithnjë më shumë qarkullon në qendrat më të rëndësishme të shkencës, artit, kulturës, të dijes universitare, që gjenden përtej rrjetit të institucioneve të edukimit dhe të shkollimit që kontrollohen nga intelekto-kracia etnike. (A është e rastit që Dritan Abazoviq zgjedh për të mbrojtur doktoratën e tij në Universitetin multikulturor të Sarajevës?). Strategjia e lulëzimit kulturor, ekonomik, politik të grupeve etnike dhe kombëtare, duket se luhet përtej etnopolitikës dhe etnokracisë. Pjesëtari i grupeve etnike, shkruan Majkëll Uoltzër, në kushtet e urbanizimit global ka identitet të shumëfishtë. Etnikisht, ai është pjesëtar i grupit të vet etnik, sigurisht. Por, nëse ka një status ekonomik të caktuar, ai ka identitet ekonomik të ngjashëm me individë të tjerë, që nuk i përkasin vetëm etnisë së tij. Si qytetar, ai ka të njëjtat interesa për të pasur një administratë të pa korruptuar, sikurse qytetarë të tjerë që nuk kanë të njëjtën përkatësi etnike si e tij. Ka nevojë për sistem gjyqësor efi kas dhe të drejtë si të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare. Si prind nxënësish, ka nevojë për shkollim cilësor si të gjithë prindërit e tjerë, pavarësisht se cila është përkatësia e tyre etnike. Me një fjalë, individi në shoqërinë multietnike, sikurse edhe në shoqëri të tjera, ka identitet plural. Ai nuk mund të përmbyllet vetëm brenda “bunkerit” të tij etnik dhe kombëtar. Individi, që bën pjesë në një grup etnik, ka gjasa të ketë më shumë interes, që, duke ruajtur identitetin e tij kombëtar, kulturor, gjuhësor, të paraqitet në hapësirën publike si qytetar. Si i tillë, të kërkojë të shprehet politikisht jo thjesht nëpërmjet etnokracisë politike, por duke e gjetur veten në të gjitha ato grupime politike mbi kombëtarë, multietnike, që i përshtaten më mirë interesave të tij. Orientimi i tij politik ka më shumë mundësi të jetë ideologjik, voluntarist, se sa substancialist etnik.

Idetë e Majkëll Uolltzërit, të cilin Dritan Abazoviq e citon saktësisht në librin e tij, më silleshin ndërmend ndërkohë që janë zhvilluar këto vitet e fundit dy palë zgjedhje për në parlamentin e Malit të Zi. Politikanët e të gjithë krahëve në Shqipëri, kanë bërë thirrje që shqiptarët të votonin për partitë politike shqiptare!!!

Ndërkaq Dritan Abazoviq, duke qenë në krye të lëvizjes politike qytetare ARU (ura), pjesë e Partisë së Gjelbër Evropiane, ka zhvilluar fushata politike jo thjesht me program politik etnik. Ka evituar të paraqitet si pjesë e etnokracisë etnike. Është përpjekur të formësojë organizimin e tij politik, me pjesëmarrje intelektualësh, politikanësh, liderësh opinioni, që i bashkojnë idetë politike për të ardhmen e vendit të tyre dhe jo përkatësia e njëjtë kombëtare. Në qendër ka vendosur qëllime politike, që sigurisht u interesojnë fuqimisht edhe shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe të gjitha grupeve të tjera kombëtare. Sigurimi i pavarësisë të Malit të Zi nga Serbia, orientimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, lufta kundër korrupsionit, përforcimi i arritjeve demokratike, mbrojtja e të drejtave të grupeve etnike dhe kombëtare, etj., janë disa prej tyre. Pyesja veten, duke e botuar edhe publikisht shqetësimin tim: Në emër të kujt politikanët e Shqipërisë u bënin thirrje shqiptarëve në Mal të Zi për të votuar “vetëm për partitë shqiptare”? A nuk ishin këto parti politike në aleancë me parti politike “jo shqiptare”? Ku është këtu politika “pastërtisht shqiptare” atëherë? Nëse, ta zëmë, politikanët maqedonas dhe ata grekë do të bënin të njëjtën thirrje, pra për të votuar në Shqipëri për parti politike eventualisht me drejtues me origjinë etnike e kombëtare maqedonase ose greke, si do ta kishim pritur këtë ne? A nuk do të kishte qenë një ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë? Nëse minoritetet ose edhe shumicat etnike, do të kishin votuar vetëm etnikisht, vetëm për partitë e tyre etnike, çfarë do të mbetej nga frymëzimi demokratik dhe multikulturor i vendeve të Ballkanit? A nuk do të kishim vetëm enklava etnike në Ballkan, në vend të shkohej drejt hapësirave publike demokratike multietnike, të hapura për veprimin qytetar, pavarësisht përkatësisë së tij etnike? Dhe mbi të gjitha: A do të dëgjonin votuesit shqiptarë në Mal të Zi thirrjet dhe orientimet e politikanëve të Shqipërisë për të mbetur “grupe etnike totalizuese”? *

Libri “Kritika e etikës globale” e Dritan Abazoviqit gjithsesi qëndron shumë mirë si vepër intelektuale, pavarësisht praktikës së tij politike. Frymëzimi intelektual i autorit si mendimtar dhe veprimtaria e tij politike, sigurisht nuk ka si të jenë pa lidhje me njëra-tjetrën. Globalizimi thërret, nënkupton ai, që politika të marrë forma të reja përtej mbylljes dhe vetizolimit kombëtar. Mirëpo, sado të lidhura të jenë libri dhe aksioni politik i autorit, ata janë dy produkte të ndryshëm. Unë nuk mund ta di nëse një politikë përtej gardheve të etnokracive politike do të kenë ose jo të ardhme në kohën e afërme politike në Mal të Zi apo gjetiu. Pavarësisht se globalizimi i botës hap horizonte për këtë. Por, tjetër është parimi, tjetër realiteti historik. Ndofta e ardhmja do të krijojë kushte më të mira, për ta kapërcyer etnopolitikën e ngushtë. Pavarësisht së ardhmes politike të autorit, libri i tij “Kritika e etikës globale” mbetet një arritje intelektuale e pakapërcyeshme e tij dhe një kontribut shumë i rëndësishëm në botimet në shqip.

Një frymëzim intelektual, që nëse nuk do ta ndryshojë ndofta fare mendësinë e politikanëve shqiptarë, të paktën do të ndikojë që ata të reflektojnë duke parë me dyshim atë që bëjnë. Do t’i çojë ata drejt pyetjes: A mund ta drejtojmë politikisht elektoratin shqiptar, sikurse kjo bëhej në epokat para-globale? A mund të mendohet demokratizimi i shteteve ballkanike, duke u mbështetur në logjikën e enklavave etnike totalizuese? Mbyllem unë në bunker, sepse mbyllesh ti!!! Mbyllesh ti, sepse jam mbyllur unë!!! Por, në fund të gjithë rezultojmë të mbyllur. Apo përmbi malazezin, turkun, serbin, shqiptarin, romin etj., në Mal të Zi do të vijnë kohët që politika do të kërkojë thjesht qytetarin? Libri në shqip është një urë dhe portë për lexuesin shqiptar kudo në Ballkan, për të njohur dhe reflektuar thellë për globalizimin, ndaj të cilit jeta e tij kudo që ai jeton, sikurse edhe veprimtaria e tij politike kudo që kryhet, nuk mund të mbeten indiferente. Sikurse të gjithë popujt e botës, edhe shqiptarët, si qytetarë, nuk mund të sillen kulturalisht, ekonomikisht, politikisht, sikurse të ishin ende në shekujt e kaluar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb