TIRANË-Opinioni i Andrea Stefanit ndaj një interviste të shkrimtarit Dritëro Agolli ku qëndrimet e këtij të fundit i quan, ‘shkërdhatokraci’, ka ngjallur shumë reagime në rrjete sociale duke futur në debat të ndezur vetë analistët. Një prej tyre ka qenë dhe analisti Dritan Hila që e ka cilësuar sulmin e Andrea Stefanit, injorancë të pastër.

“Në këta 25 vjet ju kemi lënë pasardhësve një hiç trashëgimi kulturore. Bën përjashtim gazetaria ku do ju lëmë Andrea Stefanin. Është ai që sulmoi Dritëro Agollin pse ky nuk i bashkohet korit të lehjeve ditore të politikës. Është shembulli më ekselent si injoranca ju sulet monumenteve me gurë. Se Dritëroi që të jetë i madh u dashka të plotësoje kriterin e vetem te Stefanit, që është sharja e Berishës. O pika që s’te bie. Këta nuk të lënë as të vdesësh i qetë”.

Debatet nisën nga një intervistë e Dritero Agollit për gazetën “Shekulli” ku ai vlerësonte figurën e Sali Berishës si mjek dhe nuk ia falte faktin se ish kryeministri e la shëndetësinë në këtë gjendje.

“Për mua ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por edhe të autorëve të tjerë të asaj kohe, pa lexuar. Sa herë që e kam takuar, kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar.
Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Edhe si mjek ka qenë i përkushtuar. Më është dhimbsur që e la profesionin e mjekut sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i përket politikës, ky është një kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është një politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal: Si mjek që ishte, duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit. Ndërsa lëshimi i stafetës ishte një hap i rëndësishëm për mua”, deklaroi Agolli.

Por intervista e shkrimtarit të njohur u sulmua nga Andrea Stefani. “Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi
i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci! Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi!

Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit”, shkruan Stefani në të përditshmen “Dita”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: