Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ishte sot i ftuar në studion e emisionit “Real Story” me Sokol Ballën, i zhvendosur sot në Vlorë. Nga Lungomarja e qytetit bregdetar, Leli ftoi shqiptarët të vizitojnë Vlorën këtë vit, ndërsa tha se risia e këtij viti janë plazhet publike, krahas atyre private.

“Midis hapësirës me çadra ka pjesë pa çadra, janë për banorët që të dalin si turistë të lirë pa pasur nevojë të paguajnë për një çadër. Kjo ka ndodhur brenda të gjithë vijës bregdetare. Nga zona e tunelit në drejtim të Orikumit do kemi një tjetër projekt, do bëhet rikonstruksion total, do ketë 2 bypass-e që të devijohet trafiku. Do bëhet një shëtitore jo si Lungomare por me një standard shumë të mirë”,- tha ai.

Sipas kryebashkiakut, “qytetarët e Vlorës e duan cilësinë e jetës, infrastrukturën që ju shërben. 450 biznese të reja janë hapur vetëm në Lungomare. Këtu ka pasur situata vetëm të ndërtonin objekte sot ka shumë ndërtues që lejet për pallate duan t’i kthejnë në hotele për t’ju shërbyer qytetarëve. Kemi arritur në një situatë shumë pozitive ku më shumë leje i japim për hotele dhe jo për pallate”,- shtoi ai.

Një pjesë e rëndësishme e këtij qyteti është edhe historia. Në këtë drejtim Leli tha se me rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali”, Vlora është bërë edhe një atraksion historik.

“Bulevardi Ismail Qemali është ri konstruktuar. Kur isha në Kosovë thashë të ftoj ata që e ndjejnë dhe duan të vijnë në një vend që ka shumë histori. Dhe pastaj të shkosh tek rruga historike ku kaloi Ismail Qemali kaloi tek shtëpia e Marigosë që qëndisi flamurin është diçka e papërsëritshme”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb