Në Elbasan Arena, Partizani mundi 2-1 Laçin, në sfidën e vlefshme për Abissnet Superiore. Golat për të kuqtë u realizuan nga Bitri dhe Skuka. Kurbinasit shënuan me Akinyemi. Pas sfidës për mikrofonat e Gol pas Goli folën trajnerët e të dy skuadrave. Tekniku i të kuqve, Dritan Mehmeti, në konferencën e zakonshme për shtyp preku tema të ndryshme si Kallaku, Skuka, apo edhe Europa.

“Arritja e Europës? Unë e kam thënë shpesh herë që Partizani duhet të bëjë Partizanin dhe të rrisë sa më shumë cilësinë e lojës dhe të shohë në të dy frontet. Duhet të shohë si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. Kundër Laçit na kënaq fitorja, pavarësisht se kemi pasur momente që jemi vendosur si nuk duhet.

Kallaku? Fillimisht dua të sqaroj, nuk po kalon Kallaku një moment të mirë në aspektin fizik. Jam munduar ta vendos në një linjë që ka pozicionin natyral. Por, kur nuk është në gjendjen më të mirë fizike, në aspektin tekniko-taktik bën të mos të jetë në formën e duhur. Duhet të përshtatet me skuadrën. Sot ka bërë një prezantim të mirë dhe shpresojmë të rritet në aspektin psikologjik. Nuk kemi pasur qetësinë e duhur në disa situata dhe jemi futur në panik. Kundërshtari na vuri në vështirësi me 2-3 faulla. Duhet të ishim më të qetë në aspektin e mbrojtjes dhe në mënyrë individuale. Kemi krijuar tension, duke mos menaxhuar si duhet situatën.

Skuka? Jam unë ai që i bërtas më shumë. Jam kërkues ndaj tij” – tha ai.

Partizani renditet në vendin e pestë me 38 pikë. Takimi i radhës është me Teutën.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb