Qeveria pritet të dyfishojë masën e kompensimit të dritave për rreth 208 mijë familje që janë pjesë e skemës. Me anë të një vendimi të ri që pritet të zyrtarizohet shumë shpejt, mësohet se vlera e rimbursimit nga 648 lekë që është aktualisht do të shkojë 1296 lekë në muaj. Sinjalin e parë për këtë rritje e dha edhe ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi. Gjatë prezantimit të modelit të ri që do të aplikohet për ndarjen e asistencës, Klosi tha se pensionistët, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe invalidët e punës do të përfitojnë dyfishim të masës së rimbursimit për dritat. Ministri nënvizoi se kjo rritje e rimbursimit që është parashikuar është pjesë e paketës së programeve mbështetëse që do të aplikohen për kategori të caktuara sociale në nevojë, ku bëjnë pjesë pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Gjithsej janë rreth 208.928 familje që trajtohen me kompensim.

SKEMA
Rritja e masës së kompensimit të dritave nuk do të përfshijë ndryshimin e numrit të përfituesve dhe as të kritereve të përfitimit. Kushti tjetër që vazhdon të mbetet në fuqi është edhe fakti që për heqjen e fashës deri në 300 kilovatë do të mbështeten financiarisht vetëm ato familje, të cilat nuk rezultojnë debitore në OSHEE, pra i kanë paguar në mënyrë të rregullt të gjitha faturat. Po ashtu rimbursimi përfitohet vetëm nga një prej pensionistëve në familje. Krahas pensionistëve dhe familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, pjesë e skemës së kompensimit janë edhe të verbrit, personat me aftësi të kufizuar, si dhe të gjithë punonjësit e administratës shtetërore me pagë nën 35 mijë lekë. Për këta të fundit kriteri i përfitimit është që në familje të mos ketë të punësuar të tjerë.

PENSIONISTËT
Gjithsej janë rreth 80 mijë pensionistë që përfitojnë kompensim për dritat. Disa muaj më parë skemës iu shtuan rishtazi edhe 5 mijë të moshuar të tjerë. Në kategoritë përfituese u përfshinë edhe pensionistët që banojnë në fshat, të cilët do të kenë mundësi që të marrin 648 lekë çdo fundmuaji, në formë rimbursimi, pas heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kilovatë. Kusht i vetëm për të përfituar këtë shtesë është që në përbërje të familjes të mos ketë anëtarë të tjerë. Kategoria e dytë që u shtua rishtazi janë ata, të cilët nuk kanë derdhur asnjë vit kontribute dhe që pas janarit të 2015-s trajtohen me pension social, në vlerën e 6750 lekëve në muaj. Qeveria ka vendosur që edhe për këta të moshuar të ofrojë kompensim për energjinë elektrike. Në ndryshimet e miratuara së fundmi janë bërë edhe disa lëshime për rastet që penalizoheshin.

Kështu, kur kontrata e energjisë elektrike ishte në emër të bashkëshortes së pensionistit, pavarësisht se kriteret përmbusheshin, rimbursimi nuk përfitohej. Me vendimin e ri, familja mund të marrë kompensim dhe ky i shkon atij ose asaj në emrin e të cilit është libreza e dritave. Kategoria tjetër ka të bëjë me rastet kur kontrata është në emër të kryefamiljarit të vdekur. ”Në rastet kur si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar”, thuhet në vendim./panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: