Nagasaki i pasluftës qëmton jetët e dy grave që kanë humbur arsyet për të qenë dhe rigjejnë arsyet për të qenë. “Dritë e zbehtë mbi kodra”, libri i i nobelistit Kazuo Ishiguro ka ardhur në shqip duke sjellë rrëfime trazuese nga dy botë të largëta.

“Ishiguro në një intervistë që ka dhënë thotë se kjo mund të ishte edhe historia e nënës sime. Na tregon fazat e jetës së kësaj gruaje nëpërmjet kujtimeve që ndoshta mund të jenë edhe të deformuara. E bukura e këtij romani, është ajo që mbetet e pathënë dhe e nënkuptuar”, thotë Aida Baro, kryeredaktore e “Botimeve Pegi”.

E shkuara dhe e tashmja ngërthehen duke u rrekur të krijojnë balancë mes kujtesës dhe nevojës për të harruar. Japonia e pasluftës, përplasja e së resë dhe të vjetrës e nevoja për dashuri, vijnë përmes ankthit dhe forcës.

“Ajo nuk e përmend luften por na jep këto fragmente që na tregojnë se sa të traumatizuar janë nga ajo që ka ndodhur, por nga ana tjetër, është edhe nevoja për të rifilluar. Ndërtimi i së ardhmes pa një të shkuar është e pamundur, ndaj kujtesa e kësaj gruaje dhe kujtesa kolektive e shoqëron personazhin në jetën e saj ”, vëren redaktorja e Librit, Aida Baro.

Nga shkretia që bartin të mbijetuarit që humbën gjysmat e tyre në luftë, jetët e Sashikos, Etsukos, Marikos, Keikos e Nikit sjellin traumat dhe shpresën ndërsa përballen me kujtime të vrazhda. Magjia e Ishiguros dhe bota japoneze ndërthuren për të krijuar shtratin e një vepre që të përfshin deri në fund.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb