Një rrëfim mes lotësh dhe peripecish ishte ajo e Hekries, që u detyrua 47 vite më parë për të dërguar djalin në shtëpinë e fëmijës. Sot ai, është muzikant i njohur, pjesë e grupit “Meteor” dhe quhet Altin.

Kjo histori u trajtua në studion e emisionit “Ka një mesazh për ty”, ku fillimisht, ishte Altini ai që tregoi anën e tij të historisë dhe se si mësoi që ishte fëmijë i birësuar. Nga ana tjetër, Hekria, e cila ishte ajo që kishte kërkuar ndihmën e emisionit për të gjetur djalin, tregoi të gjithë të vërtetën e saj.

Ishin vitet e para të gjimnazit kur ajo u njoh me një djalë, me të cilin ishte dashuruar. Prindërit e saj ishin kundër, megjithatë, vajza zgjodhi që të fejohej me të dashurin. Pak pas fejese, ajo tha se ndjeu një distancim nga partneri, gjë të cilën nuk e kuptoi. Më pas, ata u ndanë, ndërsa sigurimi i shtetit, me kërkesë të dajës së saj që punonte në ministri, e internuan në Kukës. Ajo nuk e dinte që ishte shtatzëne, ndërsa fëmijën e lindi në Ishëm të Durrësit. Pas këtij momenti, Hekria u rikthye në shtëpinë e fëmijërisë, ndërsa djalin, në pamundësi për ta mbajtur e la në shtëpinë e fëmijës. Deri në moshën 4-vjeçre, takimet e tyre kanë qenë të shpeshta, ndërsa më pas, një prej personelit të shtëpisë së fëmijës i tregoi që djali i saj kishte ndërruar jetë.

Megjithatë, ajo tha se nuk e besoi dhe prej vitesh nuk dëgjoi më asnjë informacion. Në vitin ’93 sipas saj, një komshi i kishte thënë që kishte parë djalin, Rudinin (Altinin) në Gjermani, e që kishin udhëtuar bashkë. Ajo tha se që prej asaj kohe e deri më tani ka kërkuar djalin me të gjithë mundësitë që kishte, por nuk kishte mundur ta gjente. Mes lotësh që i rridhin mbi faqe, Hekuria tha se nuk dëshironte asgjë tjetër, vetëm ta shikonte.

“Jam duke mbaruar vetëm ta shikoj, më thonin që ka vdekur, jam çmendur. E gjitha më duket ëndërr”, rrëfeu gruaja.

Takimi mes saj dhe djalit, të cilin në foshnjëri e quajti Rudin, por që familja që e birësoi i dha emrin Altin, do të ndodhte pas 47 vitesh. Ajo nuk i mbajti emocionet teksa ndodhi bashkimi i tyre dhe me zërin që i dridhej tha:

“Zemër, të kam pritur 47 vite. Të marrsha të ligat. Të kam shpirt, zemër!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb