Nga DRITAN HILA*
Përpara disa ditësh Andrea Stefani sulmonte Dritëro Agollin. Spuntoja merrej nga një intervistë e shkrimtarit ku përfshihen vlerësime për personazhe të tranzicionit, midis tyre Berisha dhe Basha. Dhe meqenëse cilësimet për ta ishin brenda kufijve të etikës por jashtë kanibalizmit aktual terminologjik, kjo sulmuesit i dukej në kufijtë e blasfemisë.
Nuk është pak të thuhet që sulmi ishte nga më të egrit dhe Dritëro Agolli nuk e meriton. Është zgjedhja e shkruesit dhe botuesit për standardin që duan të mbajnë. Por Dritëroi është nga të paktat figura të panteonit tonë akoma të gjalla. Ti sulesh, asgjë nuk të dallon nga talebanët që hedhin në erë statujat e Budës në Luginën e Bamyanit në Afganistan, xhihadistët që shkatërrojnë repartet arkeologjike, apo djegia e librave, aq e praktikuar në periudhat e errëta të historisë. Ndryshojnë vetëm mjetet dhe mundësitë. Dhe ky është një sakrilegj në një vend me kaq pak figura me vlera të cilat mund të përdoren për referencë.
Nuk është e domosdoshme që një artist të ketë orientim të saktë politik. Njerëzit presin shumë prej tyre, por impulsi artistik, nuk është i mjaftueshëm për orientim të drejtë politik. Por Dritëro Agolli ka qenë edhe njeri politik duke qenë vendimtar për fatet e së majtës shqiptare, rrjedhimisht edhe të pluralizmit. Ishte fjalimi i tij në Kongresin e 10-të të PPSH-së që hoqi frikën e transformimit. Ishte qëndrimi i tij në Partinë e re Socialiste, në kohën kur ish-anëtarë të PPSH-së dilnin me vrap nga dyert dhe dritaret për të lënë godinën që dukej pa të ardhme, duke bërë që vendi të kishte një opozitë të fortë dhe intelektuale. Qëndrimi i tij ndaj referendumit të ’94-ës për Kushtetutën, e delegjitimoi atë; shkrimi dhe poemthi që bëri për rastin, e kthyen në qesharak. Qëndrimi ndaj politikave pa bosht të PS-së pas ’97-ës dhe ’98-ës, ishin domethënëse. E majta shqiptare i ka shumë borxhe Agollit. Prezenca e tij e ka emancipuar, i ka dhënë staturë morale dhe intelektuale, duke i dhënë vendit një forcë politike serioze si kontribut direkt në rritjen e standardeve të demokracisë tonë defektoze.
Tashmë është evidente që klasa politike shqiptare ka degjeneruar në nivel kulturor dhe etik. Tribuna e parlamentit që gjallonte nga personalitete të shkencës dhe kulturës, është mbushur me “zagarë sulmi” të të dyja krahëve me fjalor rudimentar dhe sjellje huliganësh. Të gjithë janë në garë të fitojnë pikë në sytë e shefave, ku objektivi i caktuar prej tyre është të shfaqen përditë e më poshtë. Sistemi zgjedhor që u ofrua si zgjidhje për largimin e vulgaritetit nga parlamenti, rezultoi stimulues i tij. Sot nuk ka vlerë dija apo profesionalizmi. Duhet të jesh i rreshtuar dhe të mos mekesh për çfarëdolloj mufke që këput. Por, të kërkosh që figura si Agolli të sillen sipas standardeve të sotme, është atentat ndaj kanoneve intelektuale. Dritëro Agolli i ka bërë detyrat ndaj vendit. I ka dhënë një poet e shkrimtar të madh, një emancipues politik, një shembull kurajoje civile si duhet të sillen njerëzit në momentet kritike, një standard moral dhe shembuj karakteri. Nuk mund t’i mësojnë se si të sillet e çfarë të flasë askush. Ose, kush e bën, duhet të ketë të njëjtën staturë intelektuale, që asnjë kritikues i tij nuk e ka. Bota njeh shumë raste kur personazhe të historisë janë glorifikuar, megjithëse biografia e tyre kishte njolla të zeza. Bëhet pasi njerëzit duan të besojnë diku dhe të frymëzohen prej dikujt. Të sulmosh njerëz si Dritëro Agolli, Ismail Kadareja, Kristo Frashëri, Rexhep Qosja e të tjerë, që nuk i kanë marrë gjë vendit vetëm se i kanë dhënë, është përtej etjes për lavdi duke goditur majën. Është krim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: