Nga: KLODIANA LALA*


TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar të tjerë efektivë të policisë së Vlorës, si të dyshuar për lidhje me organizatën kriminale të familjeve Ahmetaj e Lamaj, që trafikonin drogë nga Vlora drejt Italisë përmes ajrit, duke përdorur si mjete transporti avionë të vegjël sportivë. Ndonëse burimet janë tejet të rezervuara për të dhënë detaje, mësohet se emrat e zyrtarëve të policisë kanë dalë gjatë përgjimeve të të dyshuarve si pjesëtarëve të organizatës. “Numri i të arrestuarve mund të rritet, pasi hetimet janë duke vijuar. Nuk mund të flasim konkretisht, por nuk përjashtojmë që në mesin e të dyshuarve ka edhe efektivë policie”, tha një zyrtar për “GSH”.
Edhe autoritetet italiane ditën e djeshme deklaruan për mediat italiane se janë duke hetuar për bashkëpunëtorë të tjerë të 14 personave të arrestuar, në Shqipëri dhe Itali. Deri më tani, i vetmi punonjës i policisë i arrestuar është Vladimir Zanaj, shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore, i cili rezulton të ketë qenë garant jo vetëm i kultivimit të lëndës narkotike, por edhe gjatë kohës kur avioni prodhim ukrainas ngarkohej me drogë në qytetin bregdetar. “Pa merak, parcelat na i mbulon daja”, dëgjohen të thonë të dyshuarit me njëri- tjetrin gjatë bisedave të përgjuara telefonike, duke iu referuar pikërisht Zanajt.
Zyrtari italian
Zyrtarët e policisë italiane bënë publike dje për mediat italiane detaje lidhur me operacionin e koduar “Fluturimi i lirë”. “Është një operacion që ka nisur në janar 2015, i koordinuar dhe drejtuar nga divizioni Antimafia në Bolonja dhe nga Prokuroria e Riminit, që kam sjellë ditën e djeshme arrestimin dhe mbajtjen nën arrest nga policia gjyqësore për shtatë qytetarë shqiptarë të përfshirë në një organizatë keqbërëse për trafikim ndërkombëtar të marijuanës. Po në mbrëmjen e djeshme, është sekuestruar një mjet fluturues i lehtë, që përdorej për transportimin e lendës narkotike nga Shqipëria në Itali. Në të kishte 120 kallëpe për një total prej 130 kg marijuane, të gjitha të vëna nën sekuestro së bashku me mjetin. Shqiptarët janë rezidentë në Rimini dhe në provincën e Riminit dhe Forli-Cezenës dhe kishin si objektiv shpërndarjen e drogërave. Kishin gjendje në total 3 kuintalë e gjysmë marijuanë, prej nga kishin të vetmet të ardhura ekonomike. Gjithashtu, bënin edhe vjedhje vilash dhe grabitje nëpër banesa. Gjurmimin e kemi bërë nëpërmjet mjeteve teknike gjatë këtyre muajve, që veç sekuestrimit të djeshëm, na bëri të zbulojmë edhe plantacione të ndryshme në Itali dhe Shqipëri. Ishte një operacion që u udhëhoq nga Antimafia, që kishte kontakte me autoritetin gjyqësor në Shqipëri”, tha për mediat italiane komandanti Antonie De Lise. Ai deklaroi se: “Transporti bëhej kryesisht nëpërmjet avionit, por kemi kapur edhe 50 kg në mes të marsit që vinte nga Pulja në Rimimi në rrugë detare dhe tokësore”. Për momentin, sipas zyrtarit të policisë italiane, aktiviteti i organizatës kriminale është bllokuar, por janë duke hetuar nëse kanë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Organizata
Hetimi për organizatën kriminale nisi nga Drejtoria Rajonale Antimafia, Bolonja dhe Prokuroria e Riminimit, kishte rënë në gjurmët e disa shpërndarësve të drogës. Në mars 2015 do të përfundonin në pranga të dyshuarit e parë që shpërndanin drogë nga Rimini. Sipas autoriteteve, bëhej fjalë për dy grupe kriminale familjare, Ahmetaj dhe Lamaj, që ishin përfshirë në trafikun e kokainës dhe marijuanës. Të dyshuarit ishin shqiptarë që banonin në Rimini, si dhe shtetas italianë. “Familja Lamaj ka në dispozicion një avion të vogël, prodhim ukrainas, model ‘Aeropakt A22S’ dhe mendohet se do të transportojë nga Shqipëria një sasi prej 120-140 kg marijuane. Pjesëtarët e familjes Lamaj janë pronarë të parcelave të kultivuara me hashash dhe po planifikojnë të njëjtën gjë për në Rumani. Kanë një sipërfaqe toke në komunën e Veruchio në Rimini, ku kanë kultivuar edhe aty bimë narkotike”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Ndërsa më 24.08.2015, avioni “Aeropakt A22S” që pilotohej nga Vilson Lamaj, është nisur nga ‘Aero Club’ në Ostuni, Puglia, në orën 05:40 dhe është ulur në afërsi të fshatit Xhelilaj Vlorë. Në orën 07:02 është nisur në orën 07:12 dhe është ndaluar në Itali, në vendin e nisjes Ostuni, ku Lamaj u arrestua dhe sasia prej 120 kg marijuanë u bllokua. Në pranga në kuadër të operacionit “Fluturimi i lirë” përfunduan 14 persona, gjashtë prej të cilëve në Vlorë, ndërsa të tjerët në Itali.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: