TIRANE– Nezar Seiti dhe Armando Koçerri, dy të arrestuarit në Babicë të Vlorë tre ditë më parë për llogari të dosjes “Habilaj” të policisë italiane, kanë dalë sot përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Armando Koçerri u arrestua në operacionin blic në Vlorë, ku në banesën e tij u gjetën 4.5 tonë kanabis, që dyshohej se do të trafikohej në Itali, dhe i përkiste grupit Habilaj. Ndaj tij gjykata vendosi masen e sigurisë arrest me burg pa afat.

Në këtë operacion u arrestua edhe Nezar Seiti, një person i konsideruar si bashkëpunëtor i ngushtë i Moisi Habilajt. Ndaj tij u dha masa e sigurisë arrest me burg për 20 ditë, pasi mbrojtja ka pretentuar se nuk kishte prova konkrete ndaj tij. Duke qenë se Seiti u ndalua pas publikimit të dosjes së autoriteteve italiane, kjo masë u dha ndaj tij për t’i dhënë kohë prokurorisë shqiptare të hetojë. Ndaj tij, autoritetet shqiptare kanë hapur dosje në Shqipëri, pas materialit të ardhur nga prokuroria italiane.

Sakaq, nëse autoritetet italiane dërgojnë kërkesë porosinë për ekstradimin e Nezar Seitit, do të zhvillohet ndaj tij një seancë në Gjykatën e Vlorës, për të marrë vendimin.

KUSH ESHTE NEZAT SEITI, I NJOHUR ME NOFKEN “GAZEPI”
Nezat Seiti, i njohur si krahu i djathtë i Moisi Habilajt, përmendet në dosjen e përgjimeve me nofkën “Gazepi”.

Armando Koçerri u arrestua në operacionin blic në Vlorë, ku në banesën e tij u gjetën 4.5 tonë kanabis, që dyshohej se do të trafikohej në Itali, dhe i përkiste grupit Habilaj. Në këtë operacion u arrestua edhe Nezar Seiti, një person i konsideruar si bashkëpunëtor i ngushtë i Moisi Habilajt.

Seiti përmendet në përgjimet e Prokurorisë së Katanias, ku më së shumti siguron mjetet e nevojshme për transport të grupit, si edhe ndan paratë dhe studion tregun e zi të kanabisit. Për të ka dhjetëra përgjime dhe ka qenë mjaft aktiv pas vitit 2015, duke hyrë dhe dalë lirisht në shtetin italian. Ai ka pasur një rol organizativ në grupin e strukturuar kriminal.

Ndërkohë, për Koçerrin ende dihet pak, por burimet thonë se ai mund të hetohet dhe procedohet në Shqipëri, pasi nuk rezulton të ketë gisht në veprimtarinë përtej detit.

Nga ana tjetër, në Vlorë ka nisur bllokimi i të gjitha pasurive të Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Dy prej tyre, Sabaudin Sulaj dhe Florian Habilaj, janë ende në kërkim nga policia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb