LEZHE– Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës kanë arrestuar një nga personat e shpallur në kërkim për sasinë e drogës të sekuestuar në Velipojë. Shtetasi me inicialet F.M, 32 vjeç nga Këlcyra, u arrestua mbrëmjen e sotme në Lezhë. Ai mësohet se ishte shoferi i furgonit që transporonte drogën drejt gomones në bregdet. Ndërkaq, policia është në ndjekje të dy personave të tjerë, J.B, 20 vjeç, dhe Gj.N, 44 vjeç.

Në fshatin Vilun të Velipojës, pas mesnate u sekuestrua nga policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH-ja, rreth 1.5 ton drogë. Pakot e kanabisit të ambalazhuara me natriban po përgatiteshin të ngarkoheshin në një gomone që do të transportonte lëndën narkotike drejt Italisë. Trafikantët po përdornin një furgoni për të kryer transportin e lëndës narkotike nga magazinat e hotelit drejt bregut të detit.

Enriko Zyle 42 vjeç nga Shkodra, efektiv i Policisë Kufitare në Tiranë, u arrestua gjatë operacionit.

Ai u kap në momentin kur drejtonte makinën e mbushur me lëndë narkotike, ndërsa e transportonte tek gomonia në breg të detit.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, në oborrin e hotelit ku ndodhi aksioni, ndodheshin edhe disa automjete të tjera të mbushura me kanabis.

Bashkë me të u ndaluan edhe, Sokol Ujka, 42 vjeç, Arbër Bozhanaj, 30 vjeç, Genti Dano, 35 vjeç, Dervish Gjolekaj, 32 vjeç, të gjithë nga Vlora.

Në të njëjtën zonë me 4 Qershor të këtij viti u zhvillua një tjetër operacion, i cili goditi një rrjet të trakut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Altin Rramolli, Kasëm Piluri, Andi Mita Andrea Çaushi nga Tepelena u arrestuan nga policia. E njëjta zonë ka shërbyer edhe më parë si vend i nisjes së ngarkesave me lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: