Policia e Durrësit ka vendosur në pranga katër persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në DVP Durrës, kanë ndaluar shtetasit R. V., 25 vjeç dhe R. H., 18 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.

Dy të rinjtë, akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ndërsa një 29-vjeçar me iniciale O. H., është arrestuar pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale të “Armëmbajtjes pa leje” dhe “Kanosje”. Gjithashtu është arrestuar dhe një 32-vjeçar nga Kamza, pasi është konstatuar nga policia duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i plotë i policisë:

Durrës

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndaluan shtetasit R. V., 25 vjeç dhe R. H., 18 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse pas një pune të mirëfilltë hetimore ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitet kriminal duke shitur lëndë narkotike në doza të vogla, me qëllim përfitimin e vlerave monetare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde narkotike marijuanë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 aparate celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin O. H., 29 vjeç, banues në Borizanë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në Borizanë, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. G., 32 vjeç, banues në Kamzë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb