Policia e Lushnjës ka arrestuar dy vëllezër, pasi janë kapur me drogë, granatë dhe bajonetë arme zjarri në banesë.

Në pranga kanë rënë vëllezërit Ozvaldo dhe Vladimir Çuko, ndërsa iu janë sekuestruar 6.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një granatë difensive me detonator të montuar, një bajonetë arme zjarri, një përforcues grushti, dy aparate celularë dhe një automjet tip “BMW”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Lushnjë operacioni policor i koduar “Pushimi”

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Posedonin lëndë narkotike dhe e shpërndanin në doza, vihen në pranga 2 vëllezërit.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të marra në rrugë policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Pushimi” në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

O. Ç., 25 vjeç dhe V. Ç., 16 vjeç, banues në fshatin Fier i Ri, Lushnjë (vëllezër).

Gjatë kontrollit të banesës së këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një granatë difensive me detonator të montuar, një bajonetë arme zjarri, një përforcues grushti, dy aparate celularë dhe një automjet tip “BMW”.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb