TORINO- Mendonte se kishte gjetur blerës për shtëpinë e tij në fshatin Vallo Torinese të Italisë, por ra në kurthin e një bande hajdutësh, të cilët pasi e droguan, grabitën të moshuarin. Ngjarja në fjalë ndodhi nëntorin e vitit të kaluar në Torino. Tre grabitësit, me precedentë të mëparshëm penalë, kanë përfunduar tashmë në pranga.

Mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për 56-vjeçarin Calogero Milioto, Roço Mancino, 54 vjeç si dhe 41-vjeçarin shqiptar, Alban Lena. Sipas hetimeve të hetuesve të çështjes, banda kriminale po përgatiste të tjera grabitje.

Mësohet se i moshuari kishte çuar tre hajdutët që shtireshin si blerës, në shtëpinë e tij që kishte në fshat, ndërsa më pas kishte rënë pa ndjenja në dysheme. Grabitësit pasi e kishin droguar, i kishin vjedhur të moshuarit italian 600 euro, një makinë ‘Fiat Panda’ dhe çelësat e një apartamenti që pensionisti kishte në rrugën “Santa Giulia” në Torino. Tashmë të arrestuarit do të përballen me akuzën për ‘grabitje me dhunë’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb