Nga: AHMET SHQARRI *
Kujtuam se u harrua, por, si në Beograd më 14 tetor, droni u shfaq këtë të hënë edhe mbi ne, gjatë ndeshjes Partizani-Tirana! Ishte gati po i njëjti fluturak, me banderolë të varur nën të, ku vetëm portretet ndryshonin, se ndërsa në kryeqytetin serb valëviteshin në një farë mënyre ndjenjat patriotike e kombëtare, këtë herë mbi qiellin e Tiranës tundej imazhi grotesk i puthjes buzë më buzë i dy personazheve të futbollit,(kreu i UEFA-s nga njëra anë dhe tjetri i federatës sonë), që ndërsa na janë paraqitur gjithmonë si të tillë, pra, “miq për kokë”(!), tani po bëjnë gjoja sikur duan t’ia fusin njeri-tjetrit, gjë që nuk përbën veçse dëm ndaj interesave dhe paraqitjes së Kombëtares sonë, pas asaj ngjarjeje tepër të shëmtuar e skandaloze që provokuan serbët në kryeqytetin e tyre. Por, ndryshe nga “droni i Beogradit” që u pa për një kohë të gjatë dhe bëri një bujë të madhe në të gjithë botën, “ky i Tiranës” u zhduk menjëherë si një meteor, për të mos thënë se u fsheh në mënyrë të paturpshme e plotësisht censuruese prej ekraneve tona televizive!? Duket si një gjë e pakuptimtë e gjithë kjo që u pa mbi stadiumin “Qemal Stafa”, që “u zhduk” sa hap e mbyll sytë, kur kujton se çfarë zhurme e jashtëzakonshme u bë për dronin e 14 tetorit, që po vazhdon ende të jetë shkaku i masave të rënda e krejtësisht të padrejta që janë marrë deri tani ndaj futbollit tonë përfaqësues, paçka se në fillim atë fluturak dhe autorët e tij i mbuluan me ditirambe e lëvdata, madje duke u shprehur për këtë edhe disa prej njerëzve më të shquar të këtij kombi, ndërkohë që më vonë u fol krejt ndryshe, duke e quajtur atë si një provokacion të pastër serb!!!
E gjithë kjo “lojë me drona” që kemi parë të bëhet, më parë në Beograd dhe së fundmi edhe në Tiranë, edhe pse deri tani ka mbetur pa autorë, duke ja ngjitur autorësinë anonimatëve të shumtë e të ndryshëm, mbuluar gjithsesi me një vel fals dhe artificial “ala shqiptar”, mund të themi se ajo i ka dhënë rezultatet e saj, pavarësisht ndikimit negativ që ato mund të kenë pasur në opinion dhe sidomos për futbollin tonë ende të paqartë dhe jo fort të këndshëm, siç në të kundërt disa lakej këmbëngulin dhunërisht të na e paraqesin në këtë mjedis të ngatërruar xhungle ku jetojmë.
Shfaqja e dronit mbi qiellin tonë, edhe pse u bë çmos që ai të shihej si një iluzion apo përfytyrim i rrufeshëm imagjinar(!?), dhe jo si një realitet i dhimbshëm dhe ironik në marrëdhëniet mes kapove të përlyer në punë të pista, për fat të keq është shoqëruar me ngjarje të tjera që nuk i bëjnë nder një vendi, përkundrazi i japin atij pamjen e një të sëmuri, më të rënduar nga ç’është në të vërtetë. Pamjet para ndeshjes së fillimjavës, ku tifozë me arkivol në duar dhe të tjerë shoqëruar me gomar nëpër rrugët e kryeqytetit, duke bërtitur e sharë në kor “kundërshtarët”, nuk janë një modë për t’u ndjekur, përkundrazi ato shfaqin edhe njëherë majmunllikun tonë për të imituar më të keqen e kësaj bote. Ndërkohë, “dekori” absurd shqiptar zgjerohet me lajme e bëma të tjera të shumta po kaq fantazmagorike, siç ishte ngritja e flamurit në Vlorë me rastin e përvjetorit të 102-të të Pavarësisë, prej peshëngritësve tanë kampionë të botës, që tani dyshohen për përdorim dopingu, dhe që pikërisht prej këtij fakti mund edhe të shkurorëzohen nga titujt e fituar! Për të kaluar në një “skenë” tjetër edhe më haluçinante shqiptare, kur rezidenca më e lartë e pritjeve shtetërore e qeveritare të këtij vendi përdoret sikur të ishte një magazinë apo kioskë prej dikujt që ju dashka për promovim librash dhe kjo në praninë e vetë “udhëheqësve të ndritur” që rrinin sus para tij, gjë që nuk do të mund t’i kishte shkuar kurrë dhe askujt në mendje, sepse as që do të kishte pasur asnjëherë mundësi për ta bërë një gjë të tillë, në një vend tjetër normal të botës!!!
Kur sheh dhe prek gjithë këtë mjedis të trishtë e ndërkohë aventuresk shqiptar, të vjen për t’i thënë kollosit-gjeni të letërsisë sonë, Ismail Kadare, që t’i rikthehet edhe njëherë me pendën e tij të artë historisë së këtij vendi, ku pas përshkrimit të atij “Viti të mbrapsht” të fillim shekullit të kaluar, të nisë të shkruajë tani për këto vite të mbrapshta të këtij fillimshekulli, që edhe pse thuhet se është modern, tek ne është duke u përshkuar fund e krye nga primitivizmi. Meqenëse na është bërë zakon e na pëlqen që veprimet tona shpesh t’i lidhim me ndjenjat patriotike e nacionaliste, (edhe pse jo gjithmonë me logjikën e duhur), ja vlen ta mbyllim këtë koment me faktin e këtyre ditëve, të pranimit të Kosovës si vend anëtar me të drejta të plota në KON, ç’ka përbën një ngjarje historike për vëllezërit tanë të një gjaku, të cilëve do t’u dëshironim me këtë rast një të ardhme pa dron e pa drogë nëpër aktivitetet sportive ndërkombëtare…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: