Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është evidentuar në një fshat të Skraparit, ku është arrestuar kryeplaku i fshatit dhe një shtetas për moskallzim krimi.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, nga toka me grupe kontrolli dhe nga ajri me dronë, kanë konstatuar të kultivuara në territorin e fshatit Lybeshë, në pronë publike, bimë narkotike kanabis.

Të njëjtat burime sqaruan se pas hekurave përfunduan shtetasit me inicialet A. T., 54 vjeç, me detyrë kryeplak, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre” si dhe S. T., 59 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Moskallzim krimi”.

Po ashtu në kërkim u shpall shtetasi me inicialet D.Sh (S)., 32 vjeç, banues në Lybeshë, si autori i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: