DURRES – Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Durrës për promovimin e turizmit në këtë qytet.

Ashtu siç ka bërë thirrje për investim në agroturizëm, Rama premtoi edhe ulje taksash për hotelet me 4 apo 5 yje.

Kreu i qeverisë tha se duhet të ndryshojmë imazhin e vendit tonë, në mënyrë që të shtohet ndjeshëm numri i turistëve.

“Një turist politik erdhi dhe rrinte në aeroport, tha dua: roje me pushkë e makinë të blinduar. Nuk kemi ne i thamë, por të nesërmen erdhi dhe më kërkoi falje për të më thënë që e kishte imagjinuar Shqipërinë krejt ndryshe,” tregoi Rama.

“Ne po përgatitemi për një inovacion të rëndësishëm teknologjik në funksion të biznesit të formalizuar bazuar në një model të sukseshëm në Kroaci. Regjistrimi online i çdo transaksioni në kohë reale. Kështu lehtësohen bizneset nga barra e rëndë e mbajtjes së kasave etj. Ajo që keni gati është një masë lehtësuese për të gjitha bizneset. Për të gjitha këto biznese do të bëjmë një ulje 3-fish të taksës, nga 15% – 5% të tatim fitimit. Kështu bizneset e vogla mund të ndahen nga gënjeshtra me xhiron dhe mos kenë stres, të mos i tremben inspektimeve tatimore e të mos bëjnë kukafshehtasi me shtetin.

Pak vite më parë ishim në një vend ku në zemër të potencialit turistik të vendit derdheshin ujërat e zeza në det. Shihni si është tranfosmuar sot falë bashkëpunimit me bashkinë e Durrësit. E kthyem turizmin nga një parrullë bosh në një investim strategjik. Jo vetëm që nuk derdhen më ujërat e zeza por do të sjellim ndryshime në sistemin e ujit.

Ne nuk do reshtim së promovuari agroturizmin. Në vend se të strapacoheni për të shitur një trastë domate në rrugë, ne do ju ndihmojmë që të bëni që turistët të vijnë tek ju.

Të njëjtën gjë që do bëjmë me agroturizmin do të bëjme edhe me hotelet 4 apo 5 yje që sjellin standarte të larta për turistët.

Shqipëria është nga vendet më të sigurta po të shohësh shifrat e po të dëgjosh dëshmitë e turistëve. Jemi vend me siguri të lartë, me çmime të lira dhe me mikpritje fantastike. Ne po hedhim hapat e parë të një faze të re,” tha Rama.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: