TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha foli sot për presione ndaj SPAK për çështjen e inceneratorëve, teksa shprehu frikën se nën presionin politik, mund të dështojnë me hetimin.

Basha dha mbështetjen e tij dhe të PD për SPAK duke theksuar se  informacionet që kanë bëjnë fjalë për kërcënime të të gjitha niveleve, kërcënime që vijnë që nga zbatuesit, mafiozët që janë pjesë e kësaj skeme deri tek koka e aferës.

“Dua të besoj që SPAK të bëjë detyrën e vet. I bëra një thirrje të përsëritur SPAK dhe e garantova për mbështetjen e PD dhe timen personale për të bërë detyrën e vet. Padyshim nuk e fsheh frikën, jo vetëm timen që nën presionin e pandalshëm politik, mund të dështojnë, mund të çojnë çështjen drejt dështimit.

Presioni politik po bëhet, po bëhet publikisht dhe në mënyra të tjera, pa diskutim që kam dijeni. Aq sa i tregon ti burimet e tua, aq kam dhe unë ndërmend t’i tregoj burimet e mia. Disa prej tyre duhen mbrojtur. Për një gjë të siguroj që po i bëhet presion. Marrim anën që ata janë njerëz, sigurisht janë zyrtarët më të mirëpaguar të shtetit, më të mbrojtur, kanë mbështetje të hapur politike nga faktorët gjeostrategjikë, nga aleatët tanë, nga SHBA-të dhe BE-ja, po u jap dhe njëherë sot, mbrojtje, mbështetje nga PD, nga unë personalisht për t’i shkuar deri në fund të kësaj afere. Nga ana tjetër këto informacione që ne kemi bëjnë fjalë për kërcënime të të gjitha niveleve, kërcënime që vijnë që nga zbatuesit, mafiozët që janë pjesë e kësaj skeme deri tek koka e aferës, tek ai që e mori grupin parlamentar dhe e çoi tek skena e krimit, tek njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, tek kryeministri i vendit. Ndaj siç po e bëjmë ne si PD, si opozita e vendit, si mburoja e vetmi i interesit publik, ju kërkoj ta bëjë çdo gazetar dhe çdo media për sa ka mundësi dhe të inkurajojë SPAK që të bëjë detyrën dhe t’i mbajë nën vëzhgim nëse inkurajimi ynë është i pamjaftueshëm që të bëjë detyrën. Në këtë moment që flasim, me gjithë inkurajimin që po u jap, jam krejtësisht i pakënaqur me ritmin e procedimit penal, në të gjitha aspektet, të hetimit, të ndalimit të personave që mund të prishin provat, apo mund të largohen, në veçanti të atyre që kanë imunitet politik”, deklaroi Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: