Një i burgosur në Teksas të SHBA-ve, mbi të cilin rëndon dënimi me vdekje ka bërë një veprim prekës, teksa u ka kërkuar autoriteteve që t’i shtyjnë datën e ekzekutimit.

Ramiro Gonzales ka shprehur dëshirën e tij të fundit, pasi ai kërkon që të dhurojë një veshkë për personat që kanë nevojë për transplant.

Injeksioni vdekjeprurës për të  ishte planifikuar për në 13 korrik, por avokatët e Gonzales, në një letër drejtuar guvernatorit republikan Greg Abbott, kërkuan një zgjatje 30-ditore.

Avokatët e tij thonë se burri është njohur si një “kandidat i shkëlqyer”, një dhurues i gjallë për dikë që ka nevojë urgjente për një veshkë.

Vlerësimet e mjekëve të ekipit të Degës së Mjekësisë të Universitetit të Teksasit kanë zbuluar në fakt një grup të rrallë gjaku tek i arrestuari.

Gjesti altruist

Ndërkohë, në letrën dërguar guvernatorit, avokatët e Ramiro Gonzales përfshinin një apel nga Michael Zoosman, një pastor hebre që kishte një korrespondencë të gjatë me të burgosurin.

Kleriku nuk ka asnjë dyshim për qëllimet e Ramiros, duke deklaruar se: “Dëshira e Ramiros për të qenë një dhurues altruist i veshkave nuk është i motivuar nga një përpjekje e minutës së fundit për të ndaluar apo vonuar ekzekutimin e tij”.

Kush është i dënuari me vdekje

Pesë vjet pas ngjarjeve, në vitin 2006, Ramiro Gonzales rrëfeu se kishte rrëmbyer dhe më pas përdhunuar e vrarë 18-vjeçaren Bridget Townsend. Gonzales nuk u pendua kurrë për krimet e tij, duke shkuar aq larg sa të deklaronte se “ishte e vetmja gjë e duhur për t’u bërë”.

Gonzales ishte ai që drejtoi Sherifin e qarkut Bandera për në vendin ku ndodhej trupi i dekompozuar i Bridget-it, që ai e kishte fshehur në një fermë ku punonte babai i tij.

Në vitin 2002 ai ishte shpallur fajtor për një krim tjetër, rrëmbimin dhe përdhunimin e një agjenteje të pasurive të paluajtshme në Bandera County. I dënuar me dy burgime të përjetshme, ai duhej të merrte injeksionin vdekjeprurës më 10 gusht 2006, por dënimi me vdekje u shty.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: