TIRANË

Gruaja që u bë simbol i përplasjes së banorëve me policinë në rrugën ‘5 maji’ në Tiranë pasi u rrethua nga disa policë ka qenë sot në dëgjesën e zhvilluar në komisionin e ligjeve me kërkesë të PD.

Nënë Liza ka kërkuar përballje me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe kontratë të rregullt. Ajo tha se nuk do të lëvizë nga rrënojat e shtëpisë deri sa të vdesë nëse nuk merr kontratën e rregullt.

Teksa kryetarja e Komisionit të Ligjeve i kërkoi të mos bënte politikë, e moshuara u irritua dhe iu kthye se nuk trembet prej saj, pasi i ka fëmijët jashtë.

“Ne duam drejtësi, këtu drejtësia ka mbaruar, shtet s’ka, gjykatë s’ka, se me qenë gjykata do kishim bërë ndryshe, jo me ardh me shkatërru.
Ne nuk kemi qenë duke ruajtur derrat këtu, s’kemi qenë çobanë, kemi qenë familjarë të rregullt, me taksa, me drita, me ujë, me të gjitha, i jemi përgjigj shtetit një më një dhe unë i dua metrat e shtëpisë një më një, asnjë centim më pak, asnjë më shumë. Nuk kam marrë asnjë ndihmë, asnjë përkrahje s’e kam pasur kurrë, veç krahët e fëmijëve të mi dhe sot i kam fëmijët jashtë. Të ulej djali i madh, 52 vjeç tek porta e shtëpisë duke qarë, është turp i Zotit.

Të bëjë një shtet kështu, një kryetar bashkie të mos pranojë të vijë as para popullit, as para nesh këtu është turp i Zotit. Ne as nuk duam të vrasim as të presim, duam një përgjigje të saktë prej shtetit shqiptar. Ose të na marrë të na pushkatojë në breg të lumit dhe nuk ka popull më. Kanë ardhur në orën 4 kanë prerë dritat. Policia e kishte bërë shtet rrethim në 4 qoshe. 1300 policë me 30 vetë. Kanë ardhur e kanë plasur në shtëpinë time, në oborrin tim si me qenë kriminelë. Kam dashur të hyj të marr rrobat e brendshme, jo, me marr ilaçet jo, me marr portofolin jo. Më kanë nxjerrë zvarrë. 4 policë me një plakë është turpi i Zotit për shtetin shqiptar. Në kujtojmë se po hyjmë në Europë, por ne po hyjmë në gropë. Me këtë shtet, me këtë kryetar bashkie ne jemi duke hyrë në gropë. Pse nuk vjen me thanë njëherë ku janë këta njerëz. Kam pasur burrin e sëmurë 15 vjet, nuk ia kam njohur një 5 lekësh. Tash 8 vjet 2 mijë lekë shtim pensioni. me 100 mijë lekë pension, drita, ujë, të tana. Pra, ne kërkojmë kryetarin e bashkisë të vijë të paraqitet këtu. Nuk e vret kush, të vijë t’i japë përgjigje atij populli që i kanë ardhur letrat sot, janë mbledhur duke qarë të tanë nëpër shtëpia të veta. Presin nga të shkojnë. Shtëpitë janë me 400 euro, drita, ujë, ku do shkojmë ne. Kryetari i Bashkisë me qenë burrë vjen në shesh të burrave se jam plakë dhe me më thirr 5 mijë policë pa u dalë para nuk e lë. U dal para dhe nuk trembem. Me u tremb kryetari i bashkisë që ka shtëpi boll.
Jam jashtë, jam pa u larë, pa u ndërruar. A ke ujë ti, a ke fëmijë, nëse keni njerëz, fëmijë shikojeni këtë popull. Unë dua kontratën e rregullt. Unë do rri të vdes në rrënoja dhe nuk dal. Mos t’u vijë keq hiç. Unë jam malësore e nuk trembem as prej teje, as prej kujt. Kur nuk jam trembur nga 1000 policë, prej teje nuk trembem saktë. E kam tensionin 16 me 9 tani se i kam fëmijët jashtë. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë kontratën e rregullt, me vulë, me firmë të kryetarit të bashkisë. Këtu po luan mafia. Se vij para jush nuk e kam menduar”, deklaroi e moshuara.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb