Prej vitesh, varfëria ekstreme është ulur këmbëkryq në familjen Xhema, që jeton në lagjen “Barrikadë” në qytetin e Beratit. Familja e përbërë nga dy bashkëshortët Artan dhe Eljona Xhema, nga 4 fëmijët e tyre dhe nëna e Artanit, jeton në kushte mjaft të vështira ekonomike, në një banesë e cila është e amortizuar dhe tepër e vogël. Banesa është e ndarë në dy pjesë, një pjesë përbëhet nga një dhomë dhe korridori ku jeton Artani me bashkëshorten dhe 4 fëmijët, ndërsa në anën tjetër të banesës jeton nëna e Artanit, Filja.

File Xhema, e cila jeton e vetme në një dhomë, shprehet se jeton në kushte të vështira ekonomike dhe e ka të pamundur të përballojë shpenzimet. Ajo nuk ka asnjë pajisje elektroshtëpiake në këtë dhomë dhe tregon se gatuan vetëm me një petrogas. Ajo deklaron se pensioni që merr shpeshherë nuk i del as për të blerë ilaçet, ndërkohë që edhe bukën e merr me listë në dyqanet ushqimore.

Artani dhe bashkëshortja e tij shprehen se e kanë tejet të vështirë të jetojnë në një dhomë të vetme së bashku me fëmijët e tyre. Artani pohon se aktualisht është i vetmi që punon në familje, por të ardhurat janë të pakta dhe vështirësitë për të rritur 4 fëmijë janë të mëdha. Shtëpia ku ata jetojnë është tejet e amortizuar, mban lagështi dhe gjatë sezonit të reshjeve në stinën e dimrit uji depërton brenda në dhomë. Fëmijët e tyre, përkatësisht 3, 6, 8 dhe 14 vjeç, që mësojnë, luajnë, ushqehen dhe flenë në të njëjtën dhomë kërkojnë një shtëpi ku të fusin kokën.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb