Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, u ka drejtuar sot një letër ambasadorëve dhe drejtuesve të Misioneve të Huaja në Shqipëri.

Në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë ajo ka ndarë shqetësimin e SHBSH mbi atë që e konsideron tentativë të anëtarëve të PS për të kapur shoqatën.

“Më 21 maj, 2021 pasdite, SHBSH mori një email dërguar nga Z. Pjerin Ndreu, drejtuar 14 bashkive të tjera, të cilat aktualisht janë anëtare të SHAV, me qëllimin që të organizojnë në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të SHBSH dhe për të zëvendësuar në mënyrë të paligjshme organet drejtuese te SHBSH.

Ky veprim është në kundërshtim me statutin e SHBSH, pasi bashkitë kërkuese nuk janë anëtare të SHBSH. Ne kemi dyshime serioze se ky takim online, ilegal, përmes platformës Zoom ka për qëllim të kapë kontrollin e përfaqësimit ligjor të SHBSH”, thuhet në shkresë.

LETRA E PLOTË
Për: Ambasadorët në Republikën e Shqipërisë Drejtuesit e Misioneve të Huaja në Shqipëri Partnerët e Shoqatës të Bashkive të Shqipërisë

Të nderuar Shkëlqesi, Në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë (SHBSH), ne do të donim të ndanim me ju shqetësimet tona mbi një iniciativë të kohëve të fundit për të kapur ilegalisht shoqatën tonë, veprime te ndërmarra nga individë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë SHBSH. Siç mund ta dini, që nga viti 2009, ekzistojnë dy shoqata të qeverisjes vendore që veprojnë në Shqipëri.

Fatkeqësisht, Kryetarët e Bashkive Socialiste menduan se ata nuk po përfaqësoheshin nga SHBSH dhe krijuan shoqatën e tyre, Shoqatën për Autonomi Vendore (SHAV). SHBSH respektoi vendimin e Kryetarëve të Bashkive dhe bashkëpunoi me SHAV në disa nisma në respekt të ndërsjellë të legjitimitetit të njëri-tjetrit. Më 21 maj, 2021 pasdite, SHBSH mori një email dërguar nga Z. Pjerin Ndreu, drejtuar 14 bashkive të tjera, të cilat aktualisht janë anëtare të SHAV, me qëllimin që të organizojnë në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të SHBSH dhe për të zëvendësuar në mënyrë të paligjshme organet drejtuese te SHBSH.

Ky veprim është në kundërshtim me statutin e SHBSH, pasi bashkitë kërkuese nuk janë anëtare të SHBSH. Ne kemi dyshime serioze se ky takim online, ilegal, përmes platformës Zoom ka për qëllim të kapë kontrollin e përfaqësimit ligjor të SHBSH. Kjo do t’i mundësojë Kryetarit të ri (një Kryetar Socialist) të tërheqë ankesën e paraqitur nga SHBSH në Gjykatën Kushtetuese, kërkesë për vlerësimin e legjitimitetit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Gjykata e ka vlerësuar kërkesën e SHBSH si të ligjshme dhe ne presim shqyrtimin e çështjes në një seancë plenare. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si një kusht që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadrin e procesit për hapjen e negociatave të Integrimit Evropian. SHBSH konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë një rëndësi të madhe. SHBSH shpreh vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Duke patur në konsideratë rolin tuaj të rëndësishëm në demokratizimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, ndihmën tuaj në proceset zgjedhore dhe në reformën në sistemin e drejtësisë, ju ftojmë të ndiqni nga afër tentativat e paligjshme për të kapur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, si një shkelje e autonomisë lokale dhe të drejtave tona kushtetuese. Me respekt, Voltana Ademi Kryetare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb