Te Vllaznia e gjithë vëmendja është përqendruar aktualisht te gjetja e trajnerit të ri. Në opinionin sportiv në dy ditët e fundit që pas largimit të Sedloskit, janë përmendur kryesisht 5 kandidatura për pankinën kuqeblu.

Por në Shkodër duket se duan një trajner vendas dhe dy janë të preferuarit, Armando Cungu dhe Edi Martinin. Më pak i kuotuar është Vioresin Sinani. Nëse Cungu është trajner i lirë dhe mundet të rikthehet në stolin kuqeblu, për Martinin për momentin duket e pamundur, pasi është te Teuta dhe do të vijojë bashkëpunimin me ekipin durrsak.

Ndërsa nga të huajt më i lakuari jo vetëm në media, por edhe mes tifozëve shkodranë është Thomas Bërdariç. Drejtuesit e klubit me në krye presidentin Alban Xhaferi nuk po nxitohen.

Nga burime pranë klubit shkodran kërkohet një trajner që e njeh ekipin dhe mentalitetin e Vllaznisë, duke qenë se pas 1 muaji ekipi do të jetë i impenjuar në turin e parë kualifikues të Conference League.

Për këtë qëllim, edhe pse stërvitja do të nisë pas mesit të qershorit, po bëhen edhe lëvizjet e para. Drejtuesit e klubit kuqeblu kërkojnë rikthimin e Mevlan Adilit, që e mbylli me Bylisin. Por nga ana tjetër mund të humbasë Fjoart Jonuzin dhe Liridon Latifin, që i kërkon Ilir Daja te Ballkani në Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb