Pas publikimit të raportit të avokatit të popullit lidhur me vdekjen e të riut Lear Kurti, ku mes të tjerash thuhet se vdekja mund të ishte parandaluar, në studion e News24 ka folur ish-drejtori i Policisë Ahmet Prençi, aktualisht Komisioner i mekanizmit kundër torturës.

Ai, si një nga hartuesit e këtij raporti, tha mes të tjerash se kanë arritur në këto konkluzione duke parë veprimet e policisë dhe sipas tyre kur 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, duhej transportuar në spital fillimisht dhe jo në komisariat.

Kjo sipas tij është e vetmja shkelje që efektivët kanë bërë, ndërsa shton se nuk rezulton se ata e kanë dhunuar. Po ashtu ai tha se sipas mjekëve, Kurti ka qenë pa shenja jete kur është dërguar në spital.

“Gjithçka është në kontekst të ngjarjes, pamjeve filmike, nga tërësia e të gjitha veprimeve. Ne kemi arritur në këto konkluzione që themi duke parë veprimet e policisë, të patrullës, ne mendojmë se ishte e udhës që personi kur ka shfaqur probleme shëndetësore, kur u ndalua nga policia, ai ishte afër spitalit ushtarak. Ndaj s’mund të them nëse do të ndodhte kjo ngjarje, por veprimet e tyre do ishin korrekte nëse ata do ta kishin çuar në spital. Kjo është detyrë e punonjësve të policisë që ta bëjnë këtë”, u shpreh ai.

Por çfarë pritet të ndodhë pas këtij raporti?

“Ne raportin ua nisim strukturave të Policisë, njësive vendore të Komisariatit. Është e udhës që ky rast të përgjithësohet në të gjithë vendin. Qëllimi ynë është që ngjarje të tilla të parandalohen dhe mos të ndodhin më. Kjo është një çështje nën hetim nga prokuroria, dhe kur të mbyllen hetimet, do dalin përgjegjësitë penale ndaj atyre që kanë përgjegjësi. Ne kryem vetëm hetim administrativ dhe jo penal, pasi ato i bën prokurori i shtetit. Ne në pikëpamje të tilla administrative kemi identifikuar këto shkelje”, deklaroi ai.

“Nuk më rezulton që efektivët që e shoqëruan të kenë ushtruar dhunë. Në spital është shoqëruar me pranga, nuk ka qenë në gjendje të fikti, por dridhej. Këtë e shfaq edhe në komisariat. Në spital ka vajtur i vdekur, sipas mjekëve, por efektivët kanë menduar se ka qenë gjallë. Kohën e saktë nuk e përcaktojmë dot, por sapo kanë vajtur në spital ekipi ka dalë dhe ka filluar me veprimet e tyre për t’i dhënë mundësi për të mbijetuar”, deklaron ai më tej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb