Ekspertët thonë se në garën globale kundër varianteve të reja të koronavirusit, është e domosdoshme të arrihet me shpejtësi imuniteti i tufës, duke vaksinuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Ju njohim me gamën e vaksinave që përdoren në SHBA dhe në vendet e tjera. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo sjell detaje

Në Shtetet e Bashkuara, po përdoren tre vaksina: Pfizer / BioNtech, Moderna dhe Johnson & Johnson, e cila sapo i është shtuar arsenalit të përgjithshëm. Ekspertët amerikanë thonë se të gjitha janë çertifikuar në mënyrë të rreptë.

Mes vaksinave ka patur ndryshime në metodën e shpërndarjes si dhe disa debate rreth niveleve të efikasitetit.

J. Stephen Morrison, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare Skype

“Është pak e ngatërruar sepse vaksina J&J është 66 përqind efikase dhe njerëzit thonë: përse të mos marr Pfizer-in dhe Moderna-n që janë 95 përqind? ‘Përgjigjja është: Dakord, por provat me J&J janë bërë në një kohë më të vonë, kur dolën variante të tjera të virusit. Pra, meqenëse qëllimi është parandalimi i sëmundjes së rëndë apo vdekjes, të treja vaksinat janë jashtëzakonisht të mira, prandaj mos hezito të zgjedhësh cilëndo prej tyre,” thotë J. Stephen Morrison, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Vaksina britaniko-suedeze AstraZeneca, e krijuar bashkë me studiuesit e Universitetit të Oksfordit, po përdoret në të gjithë botën. Por kohët e fundit disa vende evropiane e pezulluan atë përkohësisht për shkak të shqetësimit se ajo mund të ishte e lidhur me disa raste të mpiksjes së gjakut. Pas një rishikimi javën e kaluar nga komisioni i sigurisë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinës iu hap përsëri drita e gjelbër.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë

“Ne i inkurajojmë vendet të vazhdojnë ta përdorin këtë vaksinë të rëndësishme. AstraZeneca është veçanërisht e rëndësishme sepse përbën më shumë se 90 përqind të vaksinave që shpërndahen përmes nismës COVAX,” tha kreu i OBSH-së.

COVAX është një nismë e udhëhequr nga OBSH-ja për të ndihmuar në shpërndarjen e drejtë të vaksinave, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta.

Vaksinat janë disa llojesh. Disa janë krijuar me teknologji të vjetra, si ato me lëndë virale joaktive ose të dobësuar. Të tjera, si Moderna dhe Pfizer, mbështeten në metoda më të reja, siç është ARN-ja që u dërgon mesazhe qelizave. Eksperti i shëndetit publik William J. Moss shpjegon.

“Vaksinat me ARN dhe ato me adenovirus funksionojnë pak më ndryshe. Në vend që të injektojmë një proteinë ose tërë virusin e dobësuar, ne injektojmë recetën gjenetike. Kështu që qelizat tona prodhojnë proteinën tipike të koronavirusit dhe trupi krijon imunitet ndaj saj,” thotë William J. Moss i Universitetit Johns Hopkins.

Ekzistojnë një numër vaksinash të tjera si Sputnik V e Rusisë dhe disa të tjera të prodhuara në Kinë. Edhe pse ato kanë një rol të rëndësishëm, është me rëndësi që këto vaksina të kalojnë nëpër proceset e plota të mbledhjes së të dhënave, thotë Dr. Moss.

“Një nga sfidat do të thosha si me vaksinën Sputnik ashtu edhe me disa nga vaksinat kineze është se ato nisën të përdoren në disa vende para se të kryheshin të gjitha provat e fazës së tretë,” thotë Dr. Moss.

Por një numër vendesh po i përdorin tashmë vaksinat ruse dhe kineze, madje zyrtarët shëndetësorë në disa vende e kanë marrë të parët vaksinën, për t’u dhënë sigurime njerëzve. Kohët e fundit Sputnik V publikoi të dhëna shtesë, po ashtu edhe njëra nga kompanitë kineze të vaksinave, Cansino.

Deri tani, të dhënat e tyre kanë qenë pozitive.

Duke pasur parasysh sfidat e një pandemie globale, të kesh një portofol të gjerë vaksinash është diçka e mirë, thonë ekspertët e shëndetit.

“Një nga pengesat më të mëdha është kapaciteti prodhues. Na duhen 14 deri në 15 miliardë doza që të arrijmë imunitetin e tufës në të gjithë botën dhe këto janë shifra mjaft të mëdha”, thotë Stephen Morrison./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb