Vëmendja sot kthe het nga ndeshjet e Europës, ku shumë ekipe, por jo ato të Superiores, do të vazhdojë rrugëtimin e tyre për të kapur një vend në grupet e këtyre kompeticioneve. Në lidhje me këtë mungesë dhe mbylljen e rrugëtimit të Tiranës, Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë, për “Panorama Sport” ka folur Bledi Shkëmbi, ish-trajner i Dinamos, Teutës, por edhe ish-kapiten i Skënderbeut në kohën kur lulëzonte në Europë. Shkëmbi shprehet se të gjithë prisnin më shumë nga ekipet shqiptare dhe ndalet gjithashtu edhe te cilësia e kampionatit vendës, sepse sipas tij që aty fillon.

Bledi, ekipet shqiptare e kanë mbyllur me Europën, e kishit menduar që do ishte kaq i shkurtër ky rrugëtim? Jemi në turin e tretë dhe nuk kemi asnjë ekip…

Normal që na vjen keq. Gjërat në futboll janë edhe pak specifike, nuk janë kaq të thjeshta. Ne prisnim më shumë, sidomos pas ndeshjeve të para por mua nuk më pëlqen ta nxi këtë pjesën e futbollit pavarësisht se u pa që në shumë momente ekipet nuk treguan atë që ne presim apo duam. Patjetër duhet të bënin diçka më shumë, sidomos Tirana. Nëse do të kishim edhe pak më shumë fat, mund të kishim bërë diçka më shumë, mendoj që u mungoi edhe fati.

Nëse shikojmë nivelin e ekipeve që jemi përballur, përveç Vllaznisë që deri diku kishte një kundërshtar të fortë, pjesa tjetër ishin kundërshtarë të kalueshëm, por ne përsëri u eliminuam. Si e shikoni këtë?

Në Shqipëri të gjithë thonë se problemi qëndron te trajneri. Unë nuk jam dakord me këtë, mendoj ndoshta nuk kaluan sepse nuk u përgatitën gjatë gjithë kohës si duhet për të përballuar dhe kaluar ture, duke nisur që nga merkatoja. Për pjesën e merkatos normale që nuk është vetëm faji i klubeve sepse jemi afër futbollit, edhe unë personalisht mendoj që merkatoja ka probleme dhe në cilësi dhe në lojtarë që nuk ka shumë, sidomos lojtarë të nivelit të pagesave që ne duam të marrim, pra nuk ka shumë alternativa dhe kjo patjetër është problem për klubet. Ndoshta edhe mungesa e eksperiencës së klubeve që duhet të kuptojnë që kampionati shqiptar nuk është njësoj me lojën në Europë. Në Europë duhet gjithmonë diçka më shumë, sidomos cilësi, dhe klubet që kanë mundësi për t’u përmirësuar në cilësi duhet ta bëjnë këtë në momentin që luajnë në Europë.

Ju keni qenë pjesë e Skënderbeut, çfarë kishte ndryshe ajo skuadër, apo cilët ishin komponentët që çuan në atë arritje siç ishte kapja e grupeve?

Mua nuk më pëlqen të kujtoj kohët apo të them çfarë kemi bërë, por së pari ai ekip kishte shumë cilësi, në çdo repart, ishte ndoshta ekipi më cilësor ndër vite i kampionateve shqiptare me sa mbaj mend unë. Tjetra ishte se ekipi dhe klubi kishin politikat e duhura për t’u përforcuar, pavarësisht se ekipi dilte kampion, gjithmonë në Europë ishte ekip që përforcohej. Më kujtohen afrime si Salihi, Olahinka, pra në momentet që mbaronte kampionati dhe dilnim kampion ishte e sigurt që do të afroheshin edhe tre lojtarë të tjerë për të përforcuar ekipin, dhe këta ishin lojtarë që bënin diferencën, vinin gjithmonë lojtarë që na bënin të kalonim ture ose minimumi na bënin të ishim shumë të barabartë me kundërshtarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb