Partizani pret Erzenin në javën e 22 të Abissnet Superiore, një ndeshje nga ku pritet vazhdimësia e të kuqve pas fitores së parë për këtë vit në Ballsh ndaj Bylisit. Në prag të kësaj sfide, trajneri Colella, në konferencën për shtyp, pohoi se duhet pak durim që të gjithë afrimet në dimër të përshtaten, por edhe për faktin se jo të gjithë lojtarët kanë gjendjen optimale fizike.

“Duhet të përmirësojmë shumë gjëra akoma, por na duhet kohë, pasi skuadra ka ndryshuar. Ata që kanë ardhur nuk jam ambientuar ende pasi duhet që të jenë në gjendjen e tyre optimale fizike, prandaj na duhet edhe pak durim. Të gjithë lojtarët janë pak a shumë në të njëjtat kushte, ne do të shohim për të marrë maksimumin prej secilit, duke kërkuar edhe pikët, pasi në fund për to luhet” – u shpreh Coella.

Numri një i stolit të Partizanit foli për kundërshtarin e së shtunës, ku sipas tij është një rival i fortë dhe kjo u duk edhe në ndeshjen e fundit. Colella pohoi se ka ardhur momenti për të marrë fitoren e parë ndaj Erzenit.

“Erzeni është një kundërshtar i fortë dhe këtë e pashë edhe në ndeshjen e fundit, ku pati një rezultat karamboleks. Janë rival direkt për ne, ndodhen vetëm tri pikë larg dhe kjo do të thotë se kanë bërë mirë. Është momenti i duhur që të marrim fitoren e parë ndaj tyre, pasi na kanë mundur në fazën e parë” – theksoi Colella.

Partizani ndodhet në vendin e tretë me pikë të barabarta me Vllazninë e vendit të dytë, tri pikë larg Tiranës që kryeson. Ndërsa Erzeni është në vendin e katërt, tri pikë larg Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb