Për deputetin e Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka ardhur koha që Lulzim Basha të ndërtojë një projekt të ri. I ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 Gjekmarkaj tha se për të krijuar këtë projekt të ri duhet të gjykohet e shkuara duke nxjerrë në pah arritjet dhe problemet, gabimet e qeverisë së Berishës.

Sipas tij sot Berisha po sillet sikur do të rimarrë sërish pronën e tij, Partinë Demokratike.

“Unë kam patur dhe kam respekt për Berishën. Unë e kam mbështetur dhe votuar atë. Ka ardhur një moment pas 30 vitesh që PD të ndërtojë një projekt të ri. Për ta bërë këtë do një gjykim nga e shkuara. Berisha po e akuzon Bashën për pazare me Ramën. Berisha ka bërë mbi 10 marrëveshje me socialistët. Basha duhet të ketë kurajo që të pranojë gabimet e qeverisë së Partisë Demokratike. Nëse do të dalim me një projekt të ri duhet të thotë që kjo është merita e Berishës dhe këto janë problemet. PD me këto që kanë ndodhur nuk mund të vazhdohet rutina. Berisha duhet të kishte ikur vetë në 2017-ën. Nuk mund të jesh i përjetshëm. Berisha të lë ndjesinë sikur do të marrë pronën e tij sërish.”- tha Gjekmarkaj

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb