Arben Ristani, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka deklaruar se vendimi për të ndryshuar masën e sigurisë, referuar vendimit për masën “Arrest shtëpie” për ish deputetin e PS Alqi Bllako, merret në rastet kur kanë ndryshuar rrethanat për marrjen e vendimit të parë.

Sipas tij për Bllakon këto rrethana nuk kanë ndryshuar pasi fëmijët ish-deputeti i ka pasur edhe në momentin që është marrë vendimi për masën “Arrest me burg” muaj më parë.

Ristani shtoi se sheh një pavullnet për të hetuar çështjen e inceneratorëve, të cilën e quajti një nga aferat më të mëdha korruptive në vend.

“Për mua ka një praktikë të gabuar që nuk është e sotme por është prej vitesh. Sipas ligjit arresti me burg është masë e fundit kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Këtu është përdorur gjerësisht duke siguruar në burg të pandehurit gjatë hetimeve. Në parim është abuzuar me arrestin në përgjithësi. kur ndryshohet masa e sigurimit duhet të kishin ndryshuar rrethanat kur u mor vendimi i parë. Nuk e dimë cilat rrethana kanë ndryshuar sepse fëmijët i ka pasur edhe në momentin që është marrë vendimi i parë.

Nuk duket të ketë ndryshim të rrethanave. Shoh në përgjithësi një pavullnet për të hetuar këtë çështjes, një nga skandalet më të mëdha korruptive në vend. Hetimi duhet të ishte më i shpejtë e gjithë përfshirës për aktorë që SPAK nuk ka guxuar ti vërë para drejtësisë. lojë që banda në pushtet e luan përmes të vetëve që të ulë impaktin publik të çështjes”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb