OTAVA

Kanadaja ka hyrë në një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit, tha të mërkurën kryeministri Justin Trudeau, duke paralajmëruar se vendi ishte në prag të një rritjeje të rasteve me Covid-19, nëse njerëzit nuk ndiqnin udhëzimet e ekspertëve të shëndetit publik.

Në një fjalim të rrallë kombëtar, Trudeau tha se vendi “është në një udhëkryq” ndërsa një valë e dytë po shfaqet në katër provinca të mëdha, duke shtuar se qeveria do të bënte gjithçka që duhej për të ndihmuar vendin të rikuperohej nga pandemia.

“Ne jemi në prag të një situate të vështirë, që mund të jetë shumë më keq se gjendja në pranverë”, tha ai.

Rastet e COVID-19 të Kanadasë kanë arritur kulmin në ditët e fundit, me një mesatare prej 1 123 rastesh të reja të raportuara çdo ditë gjatë javës së kaluar, krahasuar me një mesatare ditore prej 380 rastesh në mes të gushtit.

“Ne kemi fuqinë për ta marrë këtë valë të dytë nën kontroll. E di që mund ta bëjmë, sepse e kemi bërë një herë më parë ”, shtoi Trudeau.

Kanadezët tani janë më të shqetësuar për COVID-19 sesa kanë qenë që nga prilli, tregoi një sondazh i Abacus Data. Më parë, qeveria premtoi të rikuperojë më shumë se një milionë vende pune të humbura gjatë pandemisë së koronavirusit.

Infeksionet totale arritën në 147 753, ndërsa 9 243 njerëz kanë vdekur, sipas të dhënave të fundit të qeverisë.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb