Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, mbajti një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Shqipërisë, gjatë vizitës së tij zyrtare, ku vuri theksin te rrugëtimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Duke shprehur zhgënjim për vendimin negativ të tetorit për mos hapjen e negociatave, numri një i PE deklaroi se ky vendim nuk ishte një “JO” nga Komisioni Evropian, por ishte thjesht një ngadalësim i procesit.

Ndër të tjera, Sassoli u shpreh se të vetëm nuk mund të përballemi me sfidat globale, ndaj dhe sipas tij, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE.

Më tej, kreu i PE foli dhe për korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar, duke vlerësuar paketën “Anti-KÇK” të qeverisë, që sipas tij, mbart diçka italiane dhe evropiane.

“Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, vij nga një vend që e njoh mirë krimin, pata kënaqësinë të shikoj se disa përvoja nga vendi im mund të jenë të dobishme për vendin tuaj. Reforma që ka filluar ka me vete e mbart diçka italiane, evropiane, mundësinë për të qenë të rreptë, por sigurisht brenda një kornize të shtetit të së drejtës. Ky është vështrim i drejtë për të luftuar krimin e organizuar”, u shpreh Sassoli.

Pjesë nga fjala e Kreut të PE:
Është nder i madh të jem në parlamentin shqiptar, në këtë Kuvend, që është shtëpia e demokracisë së shqiptarëve. Bëhet fjalë për vizitën time të dytë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Do kisha dashur të vija më parë t’i takoja, por nuk munda. Dëshiroj t’iu shpreh afërsinë time qytetarëve shqiptarë, që u goditën nga tërmeti. Jemi përpjekur t’iu përballojmë vështirësitë dhe në këtë moment ka një angazhim nga EB, në mënyrë që edhe investitorë të tjerë të mund të mbështesin vështirësitë e shqiptarëve, të territoreve që u goditën nga tërmeti.

Ju që jeni përfaqësuesit e popullit shqiptar, do doja t’iu thoja se kemi bashkëndarë edhe një moment tjetër hidhërimi, që procesi i anëtarësimit mund të fillonte, por që u ngadalësua. PE, KE dhe 25 qeveri evropiane ishin të bindur që kjo rrugë duhej të fillohej menjëherë, që para fundit të vitit të kaluar, por nuk ndodhi kështu. Megjithatë, nuk u tha një jo, vetëm sa është shtyrë afati. Ne jemi të bindur që jemi së bashku, kemi të njëjtin vështrim së bashku drejt së ardhmes.

Thoshte mirë më parë kryetari i parlamentit, se ne nisemi nga një ide, që duhet të na shoqërojë edhe në të ardhmen, të pajtojmë hapësirën gjeografike me hapësirën politike dhe t’i bëjmë të mundur hartës së Evropës të mbushë një boshllëk, që është rruga që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria duhet të fillojnë të përshkojnë për një integrim më të madh për t’u bërë të mundur vendeve tona një integrim më të madh, por sidomos për t’u bërë të mundur vendeve tona të rriten së bashku dhe të rinjve tanë të kenë një vështrim të përbashkët për të ardhmen. Ne duhet ta shohim këtë me optimizëm me besim, kemi një histori për të shkruar së bashku dhe ajo që është shkruar në 27 vende të BE, nuk na mjafton.

Ne mendojmë se së bashku është e mundur të përballemi me sfidat globale, jo të vetëm. Jemi të bindur se ky ndalim, nuk përfaqëson një jo, por është një ngadalësim, bëhet fjalë për një moment tranzicioni, gjatë të cilit patëm mundësi të shohim reagimin e institucioneve shqiptare dhe popullit shqiptar, sepse e kuptuam se nuk doni të hiqni dorë nga reformat e mëdha. Ky është një sinjal shumë i rëndësishëm. Në vendet tona, e sigurisht edhe në Shqipëri, kemi vështirësi shumë serioze.
Ne jemi të bindur se në reflektimin e tyre disa vende nuk kanë sulmuar besimin tuaj, dhe këtë e vumë re. Ashtu siç vumë re javën e kaluar, kur kryetari i parlamentit erdhi më takoi në Bruksel, bashkë me kryeparlamentarët e tjerë, duke treguar se gjithë rajoni po sheh nga BE. Me këtë Shqipëria mund të përbëjë edhe për të tjerët një shembull.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb