Dilema themelore, me të cilën përballet PD-ja sot është nëse Sali Berisha duhet të jetë apo jo kryetar i saj. Fushata e tij e denoncimeve ndaj Bashës dhe SHBA-ve është në fakt një përpjekje e qartë për të rimarrë kontrollin e PD-së. Pak rëndësi ka nëse këtë kontroll ai kërkon ta arrijë në mënyrë direkte apo duke vënë në krye të PD-së një tjetër Bashë, qoftë ky i tipit Tritan Shehu apo Flamur Noka. Ndaj dilema kryesore e PD-së sot nuk është nëse Berisha duhet të mbetet apo jo pjesë e grupit parlamentar. Kjo është një çështje tërësisht dytësore dhe një pretekst i qartë për të imponuar vullnetin e tij në PD. Rifutja e tij në grupin parlamentar do ishte prova më e qartë se ai mbetet kryetari real i kësaj partie.

Fushata e Berishës për të rrëzuar Bashën nuk ka lidhje me vendosjen e demokracisë apo sovranitetit në PD. Nëse Berisha arrin ta rrëzojë Bashën, nuk ka dyshim që kryetari i radhës do jetë një tjetër zar i tij, në mos ai vetë. Ama, kjo nuk do të thotë që dilema, me të cilën përballet PD-ja, është midis Berishës dhe Bashës. Ky i fundit është produkt i Berishës si në formë, edhe në përmbajtje. Ai është vendosur dhe ka qëndruar në krye të PD-së me bekimin dhe metodat e doktorit. Madje, Basha ende nuk është distancuar politikisht prej Berishës. Ndaj midis tyre realisht nuk ka ende zgjedhje, jemi brenda të njëjtit fenomen, berishizmit.

Për pasojë, ideja se dilema me të cilën përballet PD-ja është me apo kundër Bashës është e gabuar. Basha nuk është fenomeni politik kryesor, me të cilin përballet PD-ja sot, është thjesht pasojë e tij. Ky fenomen e ka emrin Berisha, si në formë, edhe në përmbajtje. Dilema reale, me të cilën përballen demokratët nuk është as me apo kundër SHBA-ve. Natyrisht që nëse ata zgjedhin Berishën, kanë për të krijuar tension me SHBA-të. E megjithatë, as demokratët dhe as Berisha nuk janë antiamerikanë. Ata mund të shpresojnë dhe të presin që një ditë Berisha të rehabilitohet, siç ndodhi herën e fundit kur atij iu deshën 8 vite.

Administratat amerikane ndërrojnë dhe bashkë me to edhe politikat e tyre. Dilema dhe debati real sot në PD është nëse Berisha duhet të vazhdojë ta udhëheqë këtë parti. Ajo që po tregon kriza aktuale është se doktori mund të qëndrojë në PD vetëm si kryetar real i saj, dhe jo si kryetar honorifik dhe aq më pak si anëtar i thjeshtë. Për këtë arsye, referendumi që duhet bërë në PD nuk është nëse Berisha duhet të futet në grupin parlamentar, as nëse PD-ja duhet të jetë me SHBA-të dhe aq më pak nëse Basha duhet të ikë apo të rrijë. Të gjitha këto çështje kanë një emërues të përbashkët: Sali Berishën. Ndaj, çështja që duhet të hidhet sot në referendum në PD është nëse Berisha duhet të jetë apo jo kryetar i saj.

Ai dhe mbështetësit e tij duhet të kenë minimumin e sinqeritetit dhe ta shtrojnë për debat këtë çështje pa e fshehur kryetarllëkun e doktorit pas kukullës së radhës. Pa komplekse duhet të deklarojnë se e duan Berishën kryetar të PD-së, siç në fakt ua do zemra. Kjo është një dilemë që realisht mund, dhe duhet, ta zgjidhë në mënyrë demokratike anëtarësia e PD-së në një proces të hapur, të ndershëm, transparent dhe pjesëmarrës. Për këtë, as Berisha dhe as përkrahësit e tij nuk duhet të fshihen pas kauzave si sovraniteti apo demokracia e brendshme dhe aq më pak pas kukullave të reja politike, me të cilat doktori synon të zëvendësojë Bashën në krye të PD-së.

Nëse Berisha e fiton këtë referendum, atëherë ai duhet të formalizohet si kryetar i PD-së dhe të marrë përsipër përgjegjësinë për të sjellë PD-në pushtet në vitin 2025. Natyrisht, kundërshtarët e Berishës kanë për detyrë t’i sqarojnë anëtarësisë në një proces të hapur debati se sa e vështirë do të ishte për Berishën të fitonte zgjedhjet në vitin 2025, jo thjesht për moshën e tij biologjike, por edhe për konfliktin e hapur me SHBA-të dhe refuzimin e tij nga elektorati i ri dhe gri shqiptar. Ama, nëse Berisha i humbet zgjedhjet e vitit 2025, atëherë ai duhet të marrë përgjegjësinë përkatëse dhe të largohet nga Partia Demokratike dhe nga çdo funksion i saj. Siç duhet të kish ndodhur në vitin 2013. Përndryshe, nëse ai vë një zar tjetër në PD, historia do përsëritej.

Nëse Berisha e humbet referendumin, atëherë Partia Demokratike duhet të thërrasë kongresin e jashtëzakonshëm, siç propozon zoti Pollo, ku duhet të zgjedhë kryetarin e radhës jashtë ndikimit të Berishës, që me humbjen e referendumit duhet të largohet nga kjo parti. Largimi i Berishës do t’i jepte PD-së shansin historik të bërjes së një gare reale për kryetarin e ri të PD-së. Nuk ka rëndësi nëse do konfirmohej kry etari aktual apo do zgjidhej një i ri. Rëndësi ka që një garë reale do prodhonte një kryetar real. Dhe largimi i Berishës do krijonte të gjitha mundësitë për një garë reale.

Pa u përcaktuar statusi i Berishës në PD, aty nuk mund të zgjidhet një kryetar real. Vetëm në këtë mënyrë PD-ja mund t’i japë përgjigje pyetjes themelore: ç’do bëjmë me Sali Berishën? Kjo është një pyetje që duhet përballur në mënyrë demokratike, të hapur dhe me sinqeritet nga të gjitha palët. Berisha dhe mbështetësit e tij nuk mund të pretendojnë se duan demokraci, sovranitet apo një lider të ri, kur në fakt kërkojnë kontrollin e partisë nga Berisha. Le ta kërkojnë këtë gjë hapur dhe formalisht. Basha dhe mbështetësit e tij, nga ana tjetër, nuk mund të pretendojnë se Berisha do vazhdojë të jetë një anëtar i forumeve të PD-së dhe frymëzimi politikani më i shquar i kësaj partie, ndërkohë që ai po i sulmon si poliagjent të Ramës, Amerikës dhe oligarkëve.

Aq më pak mund t’ua lënë përgjegjësinë SHBA-ve për një vendim që u takon atyre. Ata duhet të përballen me Berishën dhe t’i tregojnë anëtarësisë dilemën reale të kësaj partie: a do të vazhdojë të udhëhiqet nga Berisha apo jo? Berisha o duhet të jetë kryetar, o duhet të largohet nga PD-ja, rrugë të mesme nuk ka. Fushata e tij në bazë e ka treguar këtë. Për Berishën pushteti është i pandashëm dhe i panegociueshëm. Vetëm në këtë mënyrë, PD-ja mund të evitojë një betejë të gjatë dhe përçarëse, ku palët i bien pragut që të dëgjojë dera.

Basha qahet se s’ka ç’t’i bëjë Amerikës kur problemin e ka me Berishën, ndërkohë që ky i fundit flet për demokraci e sovranitet kur realisht do të jetë kryetar i PD-së. Një referendum mbi statusin e Berishës në PD, kryetar apo jo, i vë mbi tavolinë kartat e të gjitha palëve dhe krijon mundësinë e një debati real dhe racional. Larg teorive konspirative mbi kapjen dhe blerjen e Bashës nga Rama, dhe larg justifikimeve pa sens të tipit, nuk duam demokraci brenda partisë se kemi frikë nga antiamerikanizmi./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb