Shkëlqim Muça ka në pal maresin e tij trofe pa fund si lojtar e trajner dhe në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik, për “Panorama Sport” bën një skaner të futbollit shqiptar. Paraqitjen e fundit të klubeve në Europë e quan ndër më të dobëtat, ku na kanë kaluar edhe shtete të vogla e pa traditë.

Ndaj, ai kërkon që të rritet sa më shpejt të jetë e mundur niveli i Superiores e më pas edhe paraqitjes në Europë. Ish-trajneri kampion me Tiranën sqaron edhe arsyet pse teknikët vendës nuk trajtohen seriozisht. S

a i përket sezonit të ri, Muça pohoi se duhet të kalojnë të paktën gjashtë javët e para për të kuptuar trajektoren, ndonëse klubet serioze dihet se kush janë. Në fund ish-lojtari i Tiranës analizon edhe klubet me emër që kanë përfunduar në Kategorinë e Parë dhe keqmenaxhimi që bëhet me akademitë, ku më shumë shikohen si përfitim për të mbajtur ekipin e parë.

Profesor, së pari si ju është dukur paraqitja e ekipeve tona në Europë. Mund të themi se është nga pjesëmarrjet më të dobëta dhe pse sipas jush dështuam?

Po, është më e dobëta për nga paraqitja e ekipeve. Ne prisnim më shumë, sidomos nga ekipi kampion, por natyrisht edhe nga ekipet e tjera. Përveç Vllaznisë, e cila nuk pati fat në short, ekipet e tjera kishin mundësitë më të mëdha për të bërë një paraqitje dinjitoze.

Nuk ishte një paraqitje e mirë, duhet të punojmë shumë dhe të rritim cilësinë e futbollit brenda kampionatit shqiptar, për të qenë edhe më konkurrues në Europë. Shohim se në Europë, shtetet e vogla nga ana e futbollit, si Malta, Luksemburgu, Islanda, Gjibraltari kanë ngritje në futboll, sidomos Malta, Luksemburgu duket që kanë punuar dhe kanë bërë përparime. Ndërsa ne duhet të rritim patjetër cilësinë brenda kampionatit tonë, që më pas në Europë ta kemi më të lehtë.

Duke iu referuar edhe rasteve të fundit, çështja e trajnerëve vazhdon të mos jetë serioze as në klubet elitare. Si ka mundësi që ka tjetër standard kur bëhet fjalë për trajner shqiptar në krahasim me të huaj?

Ky nuk është një fenomen i ri në fakt, ka qenë gjithmonë prezent në kampionatin shqiptar. Këto ndodhin që në turin e parë të Europës apo që në ndeshjen e parë të kampionatit. Natyrisht, ka të bëjë me seriozitetin e klubeve dhe profesionalizimin e tyre. Kjo ka lidhje edhe me paraqitjen, trajneri është pjesë e skuadrës. Kur klubi ka seriozitet dhe punon si një ansambël profesionist, atëherë çdo gjë shkon mirë.

Nëse trajneri shikohet si i ndarë nga skuadra dhe për gjënë më të vogël i kalohet direkt përgjegjësia atij, kjo tregon joprofesionalizëm. Një klub profesionist di të menaxhojë mirë situatat, humbje dhe fitore. Ka klube që nuk e menaxhojnë si duhet, kujtojnë se ekipet eliminohen rastësisht, por jo, ekipet eliminohen sepse ju ka rënë niveli, dhe kur bie niveli i klubit, bie në përgjithësi niveli i drejtimit, menaxhimit, lojtarëve, nuk bie vetëm niveli i trajnerit.

Fakti që trajnerët janë nëpërkëmbur në vitet e fundit, mos ka të bëjë edhe me mungesën e seriozitetit nga ana e tyre në kontratën që bëjnë?

Kjo ka të bëjë me personalitetin e trajnerit. Këtu janë shkarkuar edhe trajnerë që kanë pasur kontrata. Të gjithë janë me kontratë, sepse një trajner nuk mund të federohet pa kontratë. Unë mendoj se e gjitha është te profesionalizmi i klubit, që nga përzgjedhja. Kur zgjedhja nuk është e menduar mirë, klubi ka pakënaqësi më pas.

Kur ka projekt afatgjatë, një klub profesionist bën një sondazh shumë të mirë për trajner, ta studiosh, të jesh i bindur që u përshtatet vizioneve apo projekteve të klubit, dhe kur e merr, të paktën ka besim që do të ecin punët mirë. Nuk mund të marrësh një trajner momental, sepse është bosh apo një pa eksperiencë, apo që nuk i përshtatet klubit.

Kampionati nis me Kukësi-Tirana, çfarë gare parashikoni në këtë sezon?

Gjithmonë fillimet e kampionatit janë me surpriza, sepse ekipet janë përgatitur, kanë bërë shumë ndryshime. Për shembull, Kukësi është një nga klubet që ka bërë shumë ndryshime. Ekipet që bëjnë shumë ndryshime asnjëherë nuk e marrin formën menjëherë. Ekipet që janë më stabël, janë më të harmonizuara. Trajnerët kanë punuar me skuadrat dhe kanë bërë shumë lëvizje.

Cilët mendoni se do të jenë ekipet favorite?

Duhet të kalojnë të paktën 6 javë, që të mund të dallosh trajektoren. Atëherë shikohen skuadrat që kanë më shumë prioritet për të ecur më lart. Por, dihet që klubet më serioze dhe që kanë bërë investim do të jenë favorite.

Po për mbijetesë, cili mendoni se do të luftojë?

Për të gjitha ekipet duhet të kalojnë javët e para për të parë çfarë lëvizjesh kanë bërë dhe a është harmonizuar skuadra. Nuk mund të themi diçka që tani. Megjithatë, ekipet me emër dhe me traditë dihet cilët janë.

Shumica e klubeve me traditë dhe qytete të mëdha në futbollin shqiptar kanë zbritur në Kategorinë e Parë dhe duket sikur ajo është kthyer në një Superiore. Çfarë tregon kjo për futbollin shqiptar?

Kjo tregon që kanë ndryshuar kohët. Nuk janë më kohët kur qytetet e mëdha investonin më shumë në ekipe. Sot futbolli është biznes, varet nga ai që ka para, ai që krijon klube me akademi të forta, me traditë. Këtu asnjë nga klubet nuk e ka krijuar këtë lloj tradite që të ketë qëndrueshmëri. Qyteti mund të jetë i madh, por nuk janë ndërtuar akademi të mirëfillta. Nuk ka pasur angazhim nga ata që e kanë pasur në varësi për të ndërtuar një skuadër për të përfaqësuar qytetin.

Ndoshta janë lënë në mëshirë të fatit, ndoshta në dorë të njerëzve joprofesionistë. Janë gabime të bëra nga ata që kanë pasur klubet në administrim, nuk ka lidhje me emrin. Sot është koha që duhen gjetur sponsorë, njerëz të fuqishëm që janë profesionistë dhe që dinë të ndërtojnë klube, dinë të menaxhojnë skuadrat, por kanë edhe para.

Në Shqipëri ka një gjë shumë të mirë, që fëmijët e duan shumë futbollin, por varet si i trajton dhe si i rrit ata. Nëse i trajton ekipet e akademisë si burim për të rritur të ardhurat e mbyllur “vrimat” për ekipin e parë, kjo është skandaloze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb