Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për vijueshmërinë dhe strategjinë e opozitës me nisjen e sezonit të ri politik në Shqipëri.
Boçi theksoi se aksioni i opozitës duhet të jetë jetik dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë edhe grupin parlamentar. “Nëse hyn në Kuvend, grupi parlamentar duhet të ketë një betejë të drejtpërdrejtë politike,” tha ai, duke shtuar se nevojitet edhe një kreativitet i ri me mënyra që nuk janë parë më parë.
Sipas Boçit, opozita duhet të organizojë aksione përtej grupit parlamentar, duke përdorur forma si protesta, grumbullime dhe forma të tjera veprimi që do të vendosen në forumet e PD.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të rrugëve klasike të opozitës, si lufta mediatike dhe organizimi i brendshëm i partisë.
“Aksioni duhet të jetë vital, duke përfshirë edhe grupin parlamentar që nëse hyn në parlament duhet të ketë një betejë të drejtpërdrejtë politike. Duhet një kreativitet edhe me mënyra që nuk i kemi parë, ndërsa ka nevojë edhe për një aksion përtej grupit parlamentar në formë protestash, grumbullimesh apo aksione të tjera që vendoset në forumet e PD duke mos lënë pas dore rrugët klasike të bërjes së opozitës si lufta mediatike apo organizimi që është pjesë e rëndësishme e PD. Duhet të ecim paralele në disa drejtime politike. PD e ka përvojën, duhet më shumë angazhim dhe vullnet për të bërë punën politike që të gjithë e dimë se duhet bërë me vullnet dhe dëshirë të plotë”, tha ai.
