Enkelejd Dobi, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur rreth sfidës së skuadrës së tij ndaj Egnatias në këtë të shtunë. Dobi theksoi para kamerave se emërimi I Shpëtim Duros në pankinën e rrogozhinasve, mund të sillte të papritura për të dy ekipet.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe trajtohet si finale. Duhet të dimë ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të jemi më vonë e për çfarë punojmë. Egnatia është me trajner të ri dhe kjo mund të jetë pikëpyetje për ne dhe për ato. Mendoj se nuk duhet të shohim të shkuarën por të tashmen dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen.

Kemi pasur 3 ndeshje të vështira, ia kemi dalë me sukses dhe kishim nevojë për këto pikë. Futbolli kërkon stabilitet dhe duhet të kërkojmë përulësi dhe më shumë punë për të marrë frytet dhe meritën e punës dhe për të shkuar aty ku duam ne dhe ku duan drejtuesit.

Nuk luan Ndreca për kartonë por jemi ekip. Këto gjëra do të vijnë herët a vonë. Është një pengesë e vogël sepse Ndreca ka treguar stabilitet dhe ka qenë pikë e mirë por fati i keq i dikujt është fati i mirë i dikujt tjetër dhe duhet të tregojnë që janë të denjë për rolin që u jepet”, theksoi Dobi para mediave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb