Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka komentuar krizën brenda PD-së, ndërsa shtoi se duhet të bëhet një analizë dhe se shkaktarët duhet të largohen nga skena politike.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Sula tha se nëse nuk ka një analizë brenda demokratëve, atëherë PD rrezikon që të dalë forcë e tretë në zgjedhjet e 2025-ës.

“Për zotin Basha, e kam thënë mendimin tim. Burim i konfliktit nga shtatori e deri më sot, ka qenë zoti Basha dhe Berisha. Ky konflikt nuk ka ikur. Zgjedhjet e 14 majit, treguan se në këtë gjendje që jemi dhe nëse kjo çështje nuk rregullohet, do bëhet më keq. Berisha ka kontribute përgjatë 30 viteve në politikë. Zoti Basha ka kontribute përgjatë këtyre 8 viteve. Do isha naiv që t’i zeroja kontributet e Berishës dhe Bashës. Duhet të ketë një Kuvend burrash. Nëse do të vazhdojnë me përçarjen dhe të lënë në pushtet maxhorancën. Duhet të ulemi dhe të shohim gjerat. Të shohim të gjitha palët, nga mua që kam përgjegjësi, që të bëhet analiza dhe nëse jam unë shkaku, të largohem nga politika. Shtatori duhet të jetë fundi i gjithçka. Nëse duan të vazhdojnë kështu, Rama ta gëzojë zgjedhjet e 2025-ës.”, tha Sula.

Ndërkohë, duke u ndalur te fjalimi i tij sot në Kuvend se nëse miratohej rritja e pagës për deputetët, këtë shtesë ai do ia falte një jetimoreje në Peqin, Sula tha se ka shumë kategori që e kanë emergjente rritjen e rrogës.

“Nuk kam futur kurrë duart në xhepat e dikujt, kjo nuk është për populizëm. Këtë vendim e mora duke u menduar. Kemi një biznes privat, dhe e kam konsultuar këtë gjë me bashkëshorten time. E bëra për të dhënë një mesazh për politikën në tërësi dhe për pensionistët apo shtresat në nevojë. Pra kemi dhe ne dinjitet, apo dhe kolegë të tjerë. Të vërtetat duhen thënë. Problemi në këtë vend nuk është te rrogat, por te korrupsioni. S’kam kërkuar të përfitojë pikë. Ata deputetë që mbahen nga rroga dhe nuk kanë të ardhura të tjera, unë i mirëkuptoj. Ka deputetë që kryejnë detyrën me ndershmëri. Nëse deputeti do ta përmbushi detyrën e tij, ajo pagë nuk i del. Por këtë gjë nuk e bëjnë deputetët. ata plotësojnë dieta sikur… pra deputetët kanë privilegje, të themi të drejtën. Unë do të votoj pro këtij projektligji. Rinia ka ikur, ka ngelur vetëm mosha e mesme. Një pjesë e kolegëve, kanë qëndrim të ngushtë. Këta mendojnë se do të rrojnë nga 500 vjet. I kemi disa privilegje. Zoti Berisha bëri gabim, edhe në vitin 2009. Edhe kur iu hoqën makinat deputetëve ishte gabim. Nuk i vjen e keqja një shteti as nga pagat e administratës, por nga korrupsioni. Të jesh ministër, është strapacim. edhe ajo pagë që marrim nuk i dalin. Aq shumë iu dhemb zemra këtyre për demokratë dhe socialistë? Jo! Nuk iu djeg zemra. Ata kanë shumë benefite.”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb