Pas kritikave të shumta nga ndërkombëtarët, ka reaguar ministri i Brendshëm së Kosovës Xhalal Sveçla.
Në një postim në Twitter, ai u shpreh se deklarata të tilla të ardhura nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe SHBA, deklarata të cilat etiketojnë veprimet e policisë së Kosovës si dhunshme, nxisin Radojçiçin për të sulmuar policët e Kosovës.

“Cilësimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionit të saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’ është një ‘ftesë’ për Milan Radojçiçin e futur në listën e zezë të SHBA-së për të komanduar mashtruesit e tij për të sulmuar policët e Kosovës”, tha Sveçla.

Ai tha se keqinterpretimi i realitetit në këtë situatë mund të rezultojë me kosto njerëzore.

“Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore”, tha Sveçla.

Më tej, ai ka uruar policinë për profesionalizmin e treguar në mbrojtje të institucioneve të Kosovës.

“Kryetarët e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë punën e tyre. Urime Policisë së Kosovës për profesionalizmin në mbrojtjen e institucioneve, sundimit të ligjit dhe demokracisë nga grupet e organizuara kriminale”, tha ai.

Kujtojmë se Milan Radojçiç është një shtetas serb i Kosovës, i vendosur nën sanksion nga SHBA, që akuzohet shpesh herë si pjesëmarrës në situata të dhunshme në veri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: