I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte violonçelisti Iljard Shaba. Iljard Shaba mori pjesë në edicionin e 73 të “Sanremos” krah Anna Oxës, e teksa foli rreth kësaj përvoje, ai e cilësoi si një eksperiencë shumë të mirë. Iljardi tha se ftesa për në Sanremo erdhi pasi Ardit Gjebrea e kishte sugjeruar tek Anna Oxa, pasi kjo e fundit po kërkonte një artist të veçantë.
“Ishte shumë kërkuese dhe me ide të qarta”, tha violonçelisti për Annën, ndërsa për ngjitjen e tij në skenën e “Sanremos” tha: “Emocioni ishte shumë i madh, pasi përveç përgjegjësisë që kisha si instrumentist që isha përkrah Annës, kisha mbi supe skenën ndërkombëtare të “Sanremos”, pasi isha si i ftuar special, vija si shqiptar dhe duhet ta përfaqësoja denjësisht vendin. Kisha një minutazh as një minutë dhe duhet të jepja maksimumin, duhet të isha perfekt”.
Performanca e Iljard Shabës u prit shumë mirë nga publiku, përveç kritikës që iu bë Annës për veshjen që kishte zgjedhur.
Violonçelisti rrugëtoi me anë të fotografive nëpër kujtime dhe e cilësoi fëmijërinë e tij si shumë të bukur. Shaba tregoi se ishte dëshira e prindërve të tij që ai të bëhej muzikant. Duke qenë se motra ishte violiniste, prindërit e Iljardit dëshironin që ai të bëhej pianist. Por pasi ftoi konkursin e Liceut, drejtori i asaj kohe vendosi që ai të vazhdonte për violonçelist duke parë edhe strukturën e duarve.
Për Iljard Shabën rruga e artit nuk ka qenë aq e lehtë, ka patur ulje dhe ngritje pasi të mësuarit e një instrumenti është shumë e vështirë.
Një moment shumë i bukur në studio ishte kur në program u shfaq një videomesazh surprizë nga miku i tij këngëtari i njohur Erik Lloshi. “Është një nga miqtë e mi më të mirë. E kemi nisur karrierën bashkë që të vegjël. Jam i lumtur për debutimin e tij në Sanremo”, tha këngëtari për violonçelistin.