Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot një takim të Këshillit Politik për reformën zgjedhore me përfaqësues të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.

Takimi ishte pjesë e tryezave të ngjashme të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, i cili është një forum i ngritur nga OSBE-ja, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare, që mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.

Në dalje të takimit, ambasadorit i OSBE Bernd Borchardt tha për mediat se diskutimet ishin shumë konstruktive dhe se u fol për depolitizimin e administratës zgjedhore e deri tek ndryshimi i sistemit që nuk është rekomandim i OSBE-ODIHR.

Si ishin diskutimet sot?
Shumë konstruktive, në pikëpamjen tonë. Ne ftuam Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatat mike si Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Kombet e Bashkuara për t’u informuar më së miri për mendimet e partive të ndryshme të përfshira në reformën zgjedhore. Nga ana tjetër, donim t’i nxitnim negociuesit që të bëjnë kompromise. Prekëm disa çështje, me detaje, që nga depolitizimi i administratës zgjedhore te ndryshimi i sistemit zgjedhor – i cili nuk është ndër rekomandimet tona – te roli i medias në fushatën zgjedhore. Pra, në tërësi, u zhvillua një diskutim i gjerë dhe u fol për disa çështje, për të cilat ne do të vijojmë të flasim dhe të bëjmë rekomandime.

Si e shihni propozimin e Partisë Demokratike për të pezulluar procesin e vettingut për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor?
Kjo çështje është ende duke u diskutuar dhe ne dërguam një mesazh të qartë se ata duhet të respektojnë dispozitën e Kushtetutës.

E konsideroni të përshtatshme shtyrjen e reformës pas 15 marsit?
Gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën, sigurisht që mund të rregullohet në një kod.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb