Katër ministra të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, përkatësisht Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, iu janë drejtuar me një letër gjithë vendeve anëtare të BE, duke iu kërkuar të hapin negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur kriteret kyçe që i ka vendosur BE duke zbatuar reforma komplekse vendore. Maqedonia e Veriut e ka lidhur Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë me çka ishte tejkaluar kontesti disavjeçar rreth emrit të shtetit”, shkruajnë në letrën e përbashkët të publikuar në “Politiko”, ministri i Jashtëm çek, Tomas Petriçek, ai polak, Jacek Çaputoviç, ai hungarez, Petar Sijarto, dhe shefi i diplomacisë sllovake, Mirosllav Lajçak.

Ata theksojnë se për shkak të progresit të arritur impresionues, KE në maj të këtij viti ka dhënë rekomandim të pakushtëzuar me dy vendet, por megjithatë Shkupi dhe Tirana ende presin dritë të gjelbër nga shtetet anëtare të BE-së.

“Fillimi i negociatave është hap i rëndësishëm në rrugën drejt inkuadrimit të BE-së, por në vetvete nuk nënkupton anëtarësim. Eurointegrimi varet nga përmbushja e kritereve të vendosura nga Unioni, qëllimi i së cilës është të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të përgatitet për anëtarësim dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të saj. Ajo poashtu është zgjedhje e përbashkët strategjike e BE-së dhe partnerët e saj në rajon. Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në BE është e interesit politik, ekonomik dhe të sigurisë së Unionit”, theksojnë ministrat.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me padurim presin fillim të fazës së re të procesit të integrimit në BE. Koha është të sillet vendim i guximshëm për të ardhmen, jo vetëm të këtyre dy vendeve, por edhe mbarë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Vendimi pozitiv do të çojë sinjal të qartë se BE pranon rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve që i vendos. Ajo nënkupton impuls shtesë për mbarë rajonin në vazhdimin e reformave dhe transformimin. Me hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, BE do të riafirmojë përcaktimet e saja për stabilitet, siguri, demokraci dhe prosperitet të rajonit. Poashtu do ta njeh dhe pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor, BE do të jetë e kompletuar, ndërsa interesat e saja të mbrojtur në afatgjatë”, vlerësojnë ministrat për Punë të Jashtme të Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë.

Petriçek, Sijarto, Çaputoviç dhe Lajçak në letrën e hapur të përbashkët konstatojnë se vendimi për bisedime miratohet në kohën kur BE përballet me sfida të shumta siç është Bregziti, migrimi, nisja në detyrë e KE-së së re, por këto çështje siç theksojnë, “nuk guxojnë të largojnë BE-në nga ajo që arritën në Ballkanin Perëndimor dhe ajo patjetër të mbetet e përkushtuar në obligimet që i merr drejt rajonit”.

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb