TIRANË

Ndryshimet në Kodin e Zgjedhor nuk janë vetëm një kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë por edhe e partive të vogla. Kreu i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se ndryshimet në kod dhe sidomos në sistemin zgjedhor janë të domosdoshme. Ai propozon dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale nëse PD dhe PS arrijnë konsensusin për këto ndryshime.

“Natyrisht që jemi për ndryshime të kodit zgjedhor. Dihet që kodi zgjedhor është peng i dy partive të mëdha. S’ka më përfaqësues zonash. Nëse nuk ndryshon kodi zgjedhor, unë besoj që kemi bërë hap mbrapa. Po të shikojmë interesin e partive të vogla ndoshta më i preferuar do të ishte një sistem proporcional me korrektim kombëtar me lista të hapura. Nëse dy partitë e mëdha bien dakord mendoj që edhe mund të shtyhen zgjedhjet e ardhshme vendore që të munden të ndërhyjnë në kodin zgjedhor”, deklaroi Duka, raporton “BalkanWeb”.

Teksa e cilëson ndryshimin e sistemit zgjedhor të domosdoshëm jo thjesht për partitë e vogla po për demokracinë në tërësi, Duka thotë se kjo sjellje e PD dhe PS mund ta çojë PAA drejt daljes e vetme në zgjedhje.

“Me këtë lloj sjellje që po bëhet nga dy partitë e mëdha në marrëdhien me kodin zgjedhor, pak nga pak po na ndan nga këto blloqet e mëdha. Nuk ka çudi që nëse ne si kryesi e PAA-së dhe më vonë si Asamble të mund të vendosim të dalim më vete në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kemi krijuar integritetin tonë dhe të mund të përfaqësohemi vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Duka.

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste ka mendimin se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, opozita nuk është gati të përballet me mazhorancën. Sipas Dukës, kushtet janë të njëjta me 2017.

“Pa ndryshuar kodi zgjedhor. Pa pasur asgjë ndryshe nga zgjedhjet e 2017-ës jemi përballë një alternative, ose duhet të pranojmë që zgjedhjet kanë qenë të ndershme dhe maxhoranca ka fituar zgjedhjet ose duhet të pranojmë që duhet të ndryshojmë kodin zgjedhor, të ndryshojmë problematikat që kanë zgjedhjet në Shqipëri dhe të bëhen zgjedhje normale. Në këto kushte kur nuk ka ndryshuar asgjë unë nuk mendoj se opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme”, theksoi Duka.

Megjithëse nuk është pjesë e parlamentit, Agron Duka mendon se opozita duhet të jetë në parlament pasi prania në seanca parlamentare e bën më efikase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb