Tirana mirëpriti mbrëmjen e djeshme finalen e parë të edicionit të ri të Ligës së Konferencës, ku Roma triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Fejnordit në stadiumin “AIR Albania”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është shfaqur në një konferencë për shtyp duke folur për këtë event të rëndësishëm që u zhvillua në Shqipëri:

“Përshtypja ka qenë pozitive për finalen. Kemi pasur një bisedë me njëri-tjetrin gjatë udhëtimit në hotel për të bërë një tjetër finale. Ndonjë Superkupë ose ndonjë finaleje për moshat U-17, U-19 apo U-21.

Unë doja vetëm opinione pozitive për Shqipërinë dhe e shijoj si qytetar shqiptar këto opinione dhe jo si president i Federatës. Shpërblimi është çështje tregu. Shpërblimi që marrin ekipet fituese që nga Kategoria Superiore, janë nga ato që dalin nga buxhetet e FSHF-së.

Buxheti i FSHF-së paguan gjithçka për aktivitetet në Shqipëri dhe e ka të vështirë që ta rrisë shpërblimin. Nëse tregu do të rrisë të ardhurat për kampionatet, atëherë do të vetë rritet shpërblimi.

Kanë qenë 510 gazetarë të huaj, është transmetuar në 155 vende të ndryshme të botës dhe është ndjekur nga 400 milionë shikues në TV dhe gjatë gjithë këtij transmetimi nuk ka pasur asnjë lajm negativ.

Të gjithë kanë dalë të mrekulluar nga atmosfera e stadiumit që është fantastik. Disa prej tyre e kanë quajtur dhe ‘xhevahir’. Vullnetarët ne nuk i kemi aplikuar asnjëherë dhe nuk e kemi ditur sesi të ketë të tillë.

Duhet të marrim benefite nga ato që kaluam në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Konferencës që ta bëjmë dhe në Shqipëri. Kërkojmë bashkëpunim me të gjithë, ashtu siç kemi bashkëpunuar në këtë finale.

Ato që kanë interesa ndryshe apo luftra personale, i them që të mos harxhojnë energji për këtë punë dhe t’i kthejnë në energji pozitive për të mirën e futbollit dhe për të mirën e fëmijëve të tyre.”, përfundoi Armand Duka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb