Situata e krijuar prej pandemisë globale është sot kryefjala e buletineve të gjithë mediave, axhendës së qeverive dhe përditshmërisë së qytetarëve në mbarë botën. Duket gati e pabesueshme sesi në vetëm dy muaj kohë, më shumë se 20% e popullsisë së botës është detyruar të qëndrojë e kyçur brenda banesave, si zgjidhja e vetme për të ngadalësuar përhapjen masive dhe agresive të virusit “Covid-19”, që vijon të rrezikojë seriozisht shëndetin dhe jetën tonë.

Natyrisht nuk është në fuqitë e askujt të predikojë të ardhmen parë nga rrethanat aktuale, as në aftësinë time të parashikoj ndikimin në terma shkencorë që kjo krizë shëndetësore do të ketë për shoqëritë dhe ekonomitë e tyre. Por nga ato analiza që lexojmë, parashikohet dhe përllogaritet se ndikimet e kësaj krize janë jo thjesht të jashtëzakonshme, por të paprecedenta qysh nga koha e krizave më të mëdha financiare të shekullit të kaluar.

Këto ditë të gjithë jemi “bombarduar” nga gama dhe intensiteti i informacioneve ku flitet kryesisht për pasojat negative të kësaj pandemie, që i ngjan një lufte të mirëfilltë, me një armik të padukshëm, por të kudogjendur. Një realitet shumë i ngjashëm me atë në filmin “Contagion”.

Padyshim që edhe kjo kategori informacioni është e dobishme, fillimisht për të kuptuar panoramën dhe përmasën e krizës që po kalojmë, por sigurisht edhe për të ndërgjegjësuar maksimalisht njerëzit lidhur me situatën e emergjencës.

Në këto kushte, të gjithë duhet të bëjmë as më shumë e as më pak, por atë që paraardhësit tanë gjatë Luftës së dytë Botërore do kishin ëndërruar të bënin për të fituar luftën kundër pushtuesit. Pra, ne sot nuk na duhet të dalim të luftojmë me armë për të mbrojtur jetën, lirinë dhe vendin, por thjesht duhet të qëndrojmë në shtëpi për aq kohë sa do jetë e nevojshme, në mënyrë që t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit dhe përditshmërisë sonë, për të cilën deri dje ndoshta edhe ankoheshim.

Ndaj, këtë shkrim dua ta sjell më tepër parë nga një këndvështrim optimist dhe me sens rekuperues, duke përmendur dhe analizuar disa aspekte dhe qasje interesante, që potencialisht kjo përvojë atipike mund të nxisë edhe jashtë vetëdijes sonë ndoshta, pas daljes nga karantinimi.

Pra, si nga e gjithë kjo përvojë të kuptojmë më shumë dhe të marrim më të mirën.

Shumica prej nesh janë padyshim të shqetësuar për këtë krizë globale shëndetësore e për rrjedhojë edhe ekonomike, e cila në mënyrë të menjëhershme ndërpreu funksionimin normal të tregjeve, industrinë e prodhimit dhe të shërbimeve, si dhe kufizoi në një masë të paparashikuar veprimtarinë e pjesës dërmuese të sipërmarrjeve të mëdha, të mesme e të vogla.

Gjatë këtyre ditëve lexova librin e titulluar “Political Risk”, shkruar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Condolezza Rice. Ajo analizonte dhe përshkruante disa teknika shumë efektive për të parashikuar (aq sa mund të jetë e mundur sigurisht), koecificientin e “pasigurisë globale” që i kanoset sipërmarrjeve si një risk i paevitueshëm, por jo detyrismisht i paadministrueshëm.

Libri sigurisht nuk trajton krizën e shkaktuar nga “Covid-19”, por sugjeron skema inteligjente për të zvogëluar efektin e “surprizave negative” që krijojnë lëkundje drastike në ekonominë e vendeve, si mjete e mekanizma që japin garanci të shtuara për rekuperim më të shpejtë dhe pa pasoja falimentuese nga kriza të këtyre përmasave, të cilat nuk janë dot as në kontrollin e shteteve dhe qeverive më të fuqishme të globit, e jo më të bizneseve apo individëve. Aq më pak të opozitave.

Kriza aktuale që ka krijuar kufizime kaq ekstreme, mund të shërbejë si katalizator që stimulon ide dhe vizione më kreative drejt funksionimit të jetës ekonomike dhe profesionale, me mentalitete të përmirësuara të punuari dhe vepruari, duke e kthyer atë që sot për sot mund të jetë e paimagjinueshme, jo vetëm në të imagjinueshme, por edhe të domosdoshme apo të pashmangshme.

Në kushtet e izolimit bëhemi akoma edhe më të ndërgjegjshëm për lehtësinë dhe ndihmën që ofron teknologjia, duke na mundësuar së pari komunikimin virtual me njëri-tjetrin në kohë reale dhe pavarësisht vendndodhjes edhe pse nuk përqafohemi dot dhe as shpatullat s’i rrahim dot njëri-tjetrit. Për të vijuar më pas me mundësinë që teknologjia na jep për të aksesuar dritare elektronike ku informohemi dhe argëtohemi; për të siguruar “e-pjesëmarrjen” tonë në platforma virtuale dialogimi dhe bashkëveprimi në funksion të punës, duke racionalizuar në këtë mënyrë kohën dhe reduktuar në këto kushte shpenzimet për të mbërritur fizikisht në një takim a mbledhje me taksi apo mjet privat; për kryerjen elektronike të pagesave për produktet dhe mallrat që konsumojmë, si uji dhe dritat; për ndjekjen në kohë reale të udhëzimeve të instruktorit të palestrës për t’u ushtruar në kushte shtëpiake; apo deri në zhvillimin e tureve virtuale nëpër muze të famshëm të botës falë një pagese modeste elektronike, etj.

Shembujt e mësipërm i ilustrova jo për të treguar ndonjë gjë të re apo të paditur, por për të nënvizuar rëndësinë dhe potencialin e fshehur në rast se do arrijmë të krijojmë një kulturë dhe prakticitet të ri të jetuari e punuari, dhe sidomos të zhvilluari biznes, që mendoj se është akoma më e rëndëishme duke qënë se lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin e ekonomisë.

Megjithatë, kjo “e-qasje” e kohëve moderne që jetojmë sigurisht nuk mund dhe nuk duhet të përmbysë dimensionin human të ndërveprimit fizik dhe socializimit të pazëvendësueshëm mes njerëzve, pasi karantinimi të përfundojë. Ekuilibri human është i domosdoshëm për ta zhvilluar jetën normalisht ashtu si deri dje, pa distancim social, pa frikën për të përqafuar të dashurit tanë, me të gjitha detajet dhe angazhimet e së përditshmes sonë që na pasurojnë mendjen dhe shpirtin, është jetik dhe i patjetërsueshëm.

Ideja ime lidhet me mundësinë që nga kjo përvojë e paparashikuar, të përpiqemi të marrim më të mirën duke forcuar besimin se jo vetëm dimë të përshtatemi në situata të papritura e të pamenduara, por kemi kapacitetin që ato të mund t’i kthejmë edhe në avantazhe për të përmirësuar cilësinë e ndërveprimeve tona njerëzore dhe profesionale në rrethana të paimagjinuara nga truri ynë e ku mesa duket jeta mund të na vendosë kur s’e presim, sigurisht në favor të humanes dhe jo teknologjisë.

Parë nga kjo optikë, besoj se të gjithë fshehim brenda vetes potenciale të pashfrytëzuara në masën e duhur, të cilat falë fuqisë dhe kapacitetit intelektual të njeriut për të qënë dhe shërbyer si agjent zhvillimi dhe progresi për veten dhe habitatin ku jeton, mund të gjejmë ose krijojmë shtigje të reja të funksionimit tonë jetësor dhe professional, që e bëjnë jetën tonë më dinamike dhe më produktive.

Duke e konsideruar dhe përjetuar realitetin që po kalojmë edhe si rast për të stërvitur durimin dhe grumbulluar energji më shumë sesa mund të shpenzojmë, pse jo pas daljes nga karantinat tona fizike dhe ato të “mendjes”, mos përpiqemi t’i transformojmë këto dy burime në synime dobiprurëse për jetën tonë, duke i dhënë asaj një përkufizim e botëkuptim të reflektuar për raportin që duhet të krijojmë me veten, të afërmit, punën, kolegët, shoqërinë, natyrën, librin, artin, hobet, kafshët dhe jetën në përgjithësi me gjithë gamën e kënaqësive që ajo falë magjisë së saj na mundëson!​

Informacioni i trasmetuar në përmbajtje të këtij mesazhi është i destinuar vetëm për individin ose për institucionin të cilit i është nisur, mund të përmbajë materiale konfidenciale dhe / ose të privilegjuara vetëm për marrësin. Çdo rishikim, trasmetim, shpërndarje apo kryerje e ndonjë veprimi tjetër të ngjashëm me këto, nga personat apo nga subjekte të tjera të ndryshme nga marrësi i synuar ,është i ndaluar. Nëse merrni gabimisht këtë mesazh, ju lutem kontaktoni urgjentisht dërguesin e tij dhe fshini çdo material të trasmetuar në kompjuterin tuaj. Ne nuk pranojmë asnjë detyrim lidhur me dëmtimin apo humbjen e shkaktuar nga programe të dëmshme apo nga viruse , përveç rastit të neglizhencës së plotë, apo sjelljes së gabuar dhe të qëllimshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb